"Pushtetarët, bashkëpronar të fshehur në "Z-Mobile" të Devollëve”

  • 14 May 2019 - 09:25

Pavarësisht faktit që Kuvendi i Kosovës ka krijuar një komision Hetimor për gjendjen në të cilën ka ardhur Telekomi i Kosovës, për të hetuar dhe analizuar të gjitha kontratat kriminale, analistët politik dhe njohës të ekonomisë theksojnë se kompania është buzë greminës së falimentimit. Sipas analistit Florim Zeqa, Telekomi i Kosovës, dikur kompania më fitimprurëse në vend, sot ndodhet buzë falimentimit si pasojë e plaçkitjes kriminale të burimeve financiare nga kompanitë kriminale, subjektet politike dhe nëntoka kriminale.

Image
Florim Zeqa

“Zhvatja 10 vjeçare në Telekom u realizua përmes kontratave kriminale prej qindra miliona euro në vit nga të njëjtat kompani dhe të njëjtit njerëz të pushtetit. Milionat u zhvaten në forma të ndryshme, duke filluar me kontratat për objektet me qira, kontratat njëburimore me kompanitë private “Cactus”, “Flexus”, etj. Megjithatë kontrata më e dëmshme kishte ndodhur me kompaninë "Z-MOBILE", e cila shënon zhvatjen më kriminale dhe më rrënuese për PTK-në”, tha analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Përndryshe, Zeqa thotë se është skeptik në punën e komisionit hetimor sepse sipas tij komisioni hetimor parlamentar për abuzimet në PTK nuk do të arrij dot që ta zbardh tërë kupolën e krimit të organizuar të politikës dhe oligarkët ekonomik për shkak të zhdukjes së gjurmëve të zhvatjes kriminale.

“Për shkak të implikimit në zhvatjen e Telekomit të dy klaneve më të fuqishme kriminale, "Pronto" dhe "Coca Cola Zero", asnjëherë deri më sot nga Prokuroria vendore dhe ajo ndërkombëtare nuk u hetua dhe nuk u zbardh krye krimi i këtij shekulli, e që është kontrata me "Z-Mobile".

Megjithatë, finalja e krejt këtij procesi do të dëshmoi një gjë, që nga PTK dhe Vala kanë përfituar kriminalisht duke e zhvatur deri në rrënim të plotë këtë kompani gjigante të gjitha subjektet politike dhe nëntoka e tyre nëpërmes kontratave qindra milionëshe”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Arsyeja tjetër më e fortë pse nuk do të zbardhen të gjitha detajet e zhvatjes kriminale, sipas analistit Zeqa, vjen nga fakti se është pikërisht interesi i pushtetarëve të lartë është që Telekomi të falimentojë sa më parë, e në fund t’ia japin "Z-Mobile"-it, ku bashkëpronar të fshehur janë pushtetarët e lartë aktual kosovarë.

“Heshtja e Prokurorisë së Shtetit ndaj falimentimit të orkestruar të Telekomit e vërteton katërçipërisht kapjen e tmerrshme të shtetit dhe privatizimin e egër të të gjitha aseteve shtetërore dhe kompanive publike nga oligarkët e inkriminuar dhe nëntoka kriminale”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Prandaj sipas tij edhe "zbrazja në heshtje e Kosovës nga qytetarët e saj, do e kthejë shtetin në pronësi të plotë të hajdutëve dhe bandave kriminale, ku në vend të policisë së shtetit rendin e ligjin do e bëjnë gorillat e natës, për çka prokuroria dhe gjykatat do të vihen në mbrojtje të plotë të krimit dhe në ndjekje të qytetarëve që pëshpëritin krimet e pushtetarëve".

"Kësisoj, shteti pa qytetar aktiv përfundimisht do të kthehet në shtet të hajnave dhe kriminelëve, ku lufta kryesisht do të bëhet mes grupeve kriminale për të marrë primatin e kontrollit mbi hapësirën gjeografike të Kosovës”, tha analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )