Ministria e Drejtësisë bën shkelje gjatë pagesave në vlerë mbi 300 mijë euro

  • 14 May 2019 - 12:02
Ministria e Drejtësisë bën shkelje gjatë pagesave në vlerë mbi 300 mijë euro

Në Ministrinë e Drejtësisë fillimisht pranohet fatura për blerje, e më pas bëhet zotimi i mjeteve dhe urdhërblerja, ani pse kjo është në kundërshtim me rregullën financiare.

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se në 19 pagesa të realizuara nga Ministria e Drejtësisë, fillimisht është pranuar fatura e më pas ishte bërë zotimi i mjeteve dhe urdhërblera. Vlera e këtyre pagesave kap një vlerë mbi 300 mijë euro.

“Rregulla financiare Nr.01/2013 përcakton që fillimisht duhet të bëhet kërkesa për blerje, zotimi i mjeteve, procedohet urdhër-blerja, pastaj të pranohet malli apo shërbimi, dhe pas pranimit të faturës të ekzekutohet pagesa. Ne kemi identifikuar se në 19 pagesa, me vlerë të përbashkët 321,054€, për të cilat në fillim ishte pranuar fatura, pastaj ishte bërë zotimi i mjeteve dhe urdhërblerja”, thuhet në raportin e Auditorit.

Sipas deklarimeve të zyrtarëve të SHKK-së, kjo ka ndodhur për shkak se gjatë vitit 2018 ishin përballur me vështirësi të alokimit të mjeteve me kohë, dhe me probleme në sistemin e thesarit për të realizuar pagesat.

Mos ndjekja e procedurave të duhura të kontrollit gjatë kryerjes së pagesave, sipas auditorit mund të rezultojë me pagesa potencialisht të parregullta.

Zyra e Auditorit i rekomandon Ministrit që të siguroj funksionimin efikas të mekanizmave dhe kontrolleve financiare, me qëllim që të respektohen hapat e përcaktuar me rregullat në fuqi sa i përket realizimit të pagesave.

Image

(Kosova Sot Online)