Vrasësi i Triumf Rizës tregon si e kreu vrasjen, kishte apo jo urdhër nga Enver Sekiraqa?

  • 14 May 2019 - 14:18
Vrasësi i Triumf Rizës tregon si e kreu vrasjen, kishte apo jo urdhër nga Enver Sekiraqa?

 

I dënuari me 35 vjet burgim për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha, tani i ftuar në cilësinë e dëshmitarit në rigjykimin ku Enver Sekiraqa, po akuzohet për nxitje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, ka deklaruar se ai e kishte vrarë policin Riza për punë të tij personale, duke mohuar se është nxitur nga Enver Sekiraqa.

“Mu nuk më ka nxit Enver Sekiraqa me vra Triumf Rizën hiq. Mu nuk më ka nxit kërkush për me kry këtë vrasje, e kam kry për punë të mia, e kam cek qysh ka ndodh rasti, jam pendu. As nuk më ka nxit Enver Sekiraqa, as ndonjë anëtar i familjes së tij, as nuk kam marrë kurrfarë shpërblimi nga ta”, tha dëshmitari Berisha.

Dëshmitari Berisha tha se dënimin prej 35 vitesh burgim që i ishte shqiptuar për vrasjen e Triumf Rizës, nuk e mbante për ta mbuluar Enver Sekiraqën, i cili gjithashtu ka mohuar të ketë marr shpërblim për këtë rast, raporton Betimipërdrejtësi.

Në seancën e së martës, i dëmtuari Shefqet Riza, babai i tani të ndjerit Trimf Riza, ka refuzuar të parashtronte pyetje për Arben Berishën, duke thënë se “nuk kam pyetjet për këtë kriminel”.

kësaj, ka reaguar Berisha duke thënë se “kriminel je vet”.

Por, më pas atyre u është tërhequr vërejtja nga kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti për mbajtjen e rendit në sallën e gjykimit.

Ai ka mohuar se kishte raporte miqësore me tani të akuzuarin Enver Sekiraqa, duke shtuar se atë e njihte si figurë dhe se e kishte takuar dy herë në jetën e tij.

“Unë e kam njoft si figurë, amo raporte s’kam pas as t’mira, por as raporte të këqija. Unë Enverin veç si figurë e kam njoft, raporte s’kam pas me to. Njëherë derisa kemi qenë me shoqni tuj pi, e kam pa qaty dhe një herë tjetër me një aheng, në shtëpinë e tij në Vranjevc”, tha ai.

Gjatë deklarimit të tij, dëshmitari Berisha ka paraqitur versionin e tij për ditën kritike të 30 gushtit 2007, se si e kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Triumf Riza.

Dëshmitari Berisha tha se gjithçka kishte nisur, derisa ai ndodhej në parkingun e kafenesë “Queens”, në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

“Kur jam dal prej këtij lokalit jam nis me ec nëpër parking, tani më ka fishkëllu nga prapa tani i ndjeri Triumf Riza, dhe rastësisht jemi taku aty. Kur ka fishkllu ai, jam kthy. Ka ardh më ka kap për kmishe, më tha ku je ti ta q**** n**** e magjupit, s’po du me t’pa me sy mo ksajde, se mu ke bo thi, s’po du me të pa në Kosovë. I thash çka o ky maltretim, pastaj m’ka shty e më tha se po ta q*** n*** se të vraj si qeni”, tha ai.

Gjatë deklarimit të tij, ai tha se nga frika për jetën e tij, kishte shtënë me 11 plumba në drejtim të tani të ndjerit Riza, me arsyetimin se kishte parë dorën e të ndjerit që po shkonte afër brezit.

“Tani Triumfi u kthy me ec për n’xhip i zi, kur u afru më tha hup se po ta q*** n***, e ka qu dorën e djathtë në anën e majtë afër brezit, unë mendova se po don me nxjerr revolen. Nga frika unë e kam nxjerrë revolen e kam ripërtirë, kam shtënë rrefall, 11 plumba kanë dal prej revoles, 3 pluma e kanë rrokë”, tha Berisha.Ai tha se atë ditë kishte vepruar në vetëmbrojtje dhe se nuk ishte qëllimi i tij, vrasja e Triumf Rizës.“Nuk e kam pas qëllim me vra, por kam pas qëllim me tutë, dora s’ka terezi. Jam mundu mu vetëmbrojt. E kam ndi veten të rrezikum, kam vepru në vetëmbrojtje, distanca ka qenë mes meje dhe Triumfit 7-8 metra. Posa kam shtënë jam largu prej vendit të ngjarjes. Triumfi ka qenë atë ditë shumë agresiv, po kallëzojnë edhe letrat e mjekësisë që ka qenë nën ndikim të alkoolit, 82%”, tha ai.

Berisha tha se me të ndjerin Riza kishte pasur edhe dy raste të mosmarrëveshjes para rastit kritik, ku sipas tij, ishte ndaluar nga ai pa u njoftuar se ai ishte polic.

“Me Triumf Rizën për herë të parë kemi pas mosmarrëveshje 6 muaj e gjysmë para se me ndodh vrasja, jam kon tuj dal pre një shitoreje “Maxi” në Dardani. Kur jam dal prej shitores më ka ndal mi ka kërku dokumentat, meqë ka qenë në rroba civile, unë përpara se kam njoft. I jam drejtu me fjalët kush je ti me ti dhon dokumentat, ai më ka thon ami dokumentat, se unë të lidhi, të rrehi, të qoj n’polici, ta boj ma butë shpinën se barkun. E pyeta çka po dyshon në mu, ai mu përgjigj se po më dokesh fac negative. Ai pastaj më tha maje në mend, se kur të zateti gjithmonë qështu e ke, mos t shoh k’tu pari mo”, tha Berisha.

Kurse, në rastin e dytë, ai tha se Riza e kishte ndaluar atë pa kurrfarë arsyetimi dhe e kishte goditur me shuplaka.

“Kam pas edhe një mosmarrëveshje 3 muaj para se me ndodh vrasja. Jam kon tuj ec në kom rrugës Fehmi Agani në Prishtinë, dhe e takova Triumf Rizën rastësisht, ish kon tuj e vozit një xhip të bardhë. E ndali veturën e tina dhe dul e më ndali mu, unë isha vetëm, dhe e pyeta pse m ndale ti mu, dhe mu përgjigj çka t’kam thon ty, pastaj më ra dy herë shuplak, duke më thonë se e ke kshtu sa herë të takoj dhe ik prej ktuhit”, shtoi dëshmitari.

Ai deklaroi se ditën kritike kishte takuar rastësisht në lokalin “Bar Sekiraqa”, Rrahim dhe Ilir Abdullahun, duke mohuar ndërlidhjen e tyre me rastin kritik.

Kur u pyet nga mbrojtësja e të akuzuarit Sekiraqa, avokatja Kosovare Kelmendi, për armën me të cilën kishte shkrepur atë ditë, dëshmitari deklaroi se atë armë ai e kishte blerë katër muaj më parë me qëllimin e vetëm për ta shitur.

“Armën e pata ble katër muaj para se me ndodh rasti, se kam mbajt rregullisht, por kajher. Armën e kam marr me veti atë ditë që t’ia shes najkujt”, tha ai.

Në pyetjen e kryetari të trupit gjykues, gjykatësit Shashivar Hoti, dëshmitari u përgjigj se kishte njohuri në përdorimin e armëve, pasi kishte qenë ushtari i UÇK-së në luftimet në Koshare, por mohoi të jetë i nivelit profesionist.

“Kam njohuri, arma ka qenë e re, s’ka pas najfar defekti. Nuk kam shumë njohuri në përdorim të armës, kam ditë pak se edhe gjatë kohës luftës kam qenë pjesëtar i UÇK në Koshare. S’kam ditë edhe qaq fort, profesionalist me qenë duhet me dit me gjujt në shenjë”, tha Berisha.

Ndryshe, Enver Sekiraqa ishte dënuar më 17 maj 2016 nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.Gjykata e Apelit, më 24 tetor të vitit të kaluar, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqen dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator të vitit të kaluar, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri

.E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat tha se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Sëiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet.

(Kosova Sot Online)