Haziri: Është e gërditshme kur grupi i deputetëve “Devollistë” flasin për një gjyqësi të kapur!

  • 14 May 2019 - 16:54
Haziri: Është e gërditshme kur grupi i deputetëve “Devollistë” flasin për një gjyqësi të kapur!

Arrestimi i deputetit të PSD-së, nga Policia e Kosovës përveç impaktit mediatik, nga analistët po cilësohet më shumë si spektakël, kinse të “një përndjekje” politike që po i bëhet PSD-së, përmes këtij arrestimi.

Image
Nexhat Haziri

Në një prononcim për gazetën “Kosova Sot Online”, analisti politik Nexhat Haziri ka deklaruar se “është e gërditshme kur grupi i deputetëve “Devollistë” flasin për një gjyqësi të kapur nga segmentet politike, ndërsa sikur bëjn se kanë harruar se po këta deputetë, janë të gatshëm çdo herë për t'ia bërë korumin në Kuvend partive në pushtet, siç ishte me rastin e miratimit të buxhetit, por edhe marrëveshjeve e ligjeve të tjera të dëmshme për vendin. Kjo shpërfaq hipokrizinë e tyre dhe i bën të duken lakuriq përballë opinionit dhe qytetarëve të vendit, se kjo farë PSD-je, është thjeshtë një grup njerëzish që funksionojnë me mandate të uzurpuara deputetësh për interesat e tyre individuale e klanore”.

Sipas Hazirit ,“arrestimi i Dardan Molliqajt nga policia e Kosovës, nuk është kurfarë arrestimi politik, përkundrazi është një skenar i përgaditur nga elementet politike dhe shtetërore për të bërë spektakël medial, gjoja të “një përndjekje” politike që po i bëhet PSD-së, përmes këtij arrestimi”.

“Është tentim për ta mashtruar opinionin dhe për ta fshehur aleancën që kanë “Devollistët” të ashtuquajtur PSD me koalicionin PAN, dhe tentimi i tyre për tu dukur si opozitar...Natyrisht se tashmë qytetarët janë mjaftueshëm të vetëdijshëm sa mos të bijnë pre e këtyre mashtrimeve dhe spektaktleve mediale që përgadisin patericat e pushtetit në bashkëpunim me koalicionin qeverisës PAN”, ka përfunduar Haziri.

(Kosova Sot Online)