Denoncon Salihaj: Thaçi i pakënaqur për shkak të dështimit të planit për ndarjen e Kosovës

  • 15 May 2019 - 09:43
Denoncon Salihaj: Thaçi i pakënaqur për shkak të dështimit të planit për ndarjen e Kosovës

Ish zyrtari i lartë i LDK-së, deputet në Kuvendin e Kosovës, Adem Salihaj, duke reaguar pas demantit nga shteti Gjerman për deklaratat e Hashim Thaçit, se kinse në samitin e Berlinit nuk pati akordim mes BE-së dhe SHBA-ve për përgatitjen e agjendës, thotë se kjo është edhe një humbje e madhe e Thaçit dhe dekonspirim mbështetjes së tije që kishte për planin e ndarjes së Kosovës me Vuqiqin.

“Shteti gjerman e demantoi plotësisht gënjeshtrën e Thaçit, i cili ishte i pakënaqur me samitin e Berlinit, kinse për arsye se nuk po merrnin pjesë SHBA-të. Madje, ai, për të bërë filma, shkoi në ambasadën amerikane, kinse për ta shprehur besnikërinë ndaj SHBA-ve. Në fakt, tash shteti gjerman dha sqarime se, samiti i Berlinit, ishte organizuar në pajtim dhe koordinim me SHBA-atë dhe se, nuk kishte mospajtime në mes tyre”, tha Salihaj për “Kosova Sot Online “.

Sipas Salihajt, “sikur të mos ishte kundërshtuar ideja e tij dhe e Vuqiqit për shkëmbim territoresh, Thaçi nuk do të dilte me akuza të tilla dhe të pa vërteta prandaj është fatkeqësi e madhe që Kosova lejon të përfaqësohet nga një njëri i tillë në fushën diplomatike dhe në bisedime”.

“E vërteta është se Thaçi ishte shumë i pakënaqur me samitin e Berlinit, i cili e hodhi poshtë idenë serbo-ruse për ndarjen e Kosovës, të cilën e përfaqëson ai, si njeri i Serbisë. Me gjithë faktin se tashmë është dekonspiruar plotësisht roli i Thaçit si njeri i Serbisë, i cili punon për shkatërrimin e Kosovës, ai përsëri po vazhdon me këmbëngulje misionin e tij. Fatkeqësia qëndron te ne në Kosovë, që lejojmë një njeri si Thaçi të qëndrojë si president dhe të luftojë për shkatërrimin e Kosovës”, tha Salihaj për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )