I burgosur përjetë, shqiptari që ktheu qelinë e burgut grek në hotel me 5 yje

  • 15 maj 2019 - 11:15
I burgosur përjetë, shqiptari që ktheu qelinë e burgut grek në hotel me 5 yje

Pak kohë më parë, mediat lokale greke kanë publikuar disa pamje të pazakonta të shqiptarëve në burgun e Koridhalosit. Skena e pazakontë është transmetuar live në rrjetin social Facebook dhe komentet nga familjarë apo miq të tyre nuk kanë munguar.

Videoja ka vënë në lëvizje ministrin e Drejtësisë dhe autoritetet e burgjeve greke, të cilët kanë kërkuar shtrëngimin e masave për të burgosurit brenda ambienteve. E ashtuquajtur si një “party” brenda burgut, mediat greke e kanë komentuar videon si të ishte ambient feste dhe jo institucion ku shqiptarët vuajnë dënimin.

Pamjet e shqiptarëve të hareshëm, edhe pse brenda, kanë bërë xhiron e rrjetit dhe grekët kanë shpërthyer në akuza ndaj institucioneve. Në këtë video ka qenë protagonist Fabio Dushku dhe disa miq të tij, brenda në qeli në burgun e Koridhalosit.

Më tej, sikundër raportojnë mediat greke, Dushku ka pranuar se ishte pjesë e organizatorëve të festës së vitit të Ri në burgun e Koridhalos në Greqi. Por mohon se dhoma ku u bë ky organizim ishte një suitë e veçantë për të. Veprim për të cilin, thekson Dushku, ndaj tij është marrë një masë disiplinore dhe tashmë e ka kaluar dënimin.

KUSH ËSHTË FABIO DUSHKU?

31-vjeçari shqiptar, i cili ndodhet momentalisht i burgosur në burgun e Koridhalosit në Greqi, ka rrëfyer për mediat greke jetesën atje. I riu shqiptar është dënuar me burgim të përjetshëm pasi akuzohet për dy vrasje, në Athinë dhe Selanik.

Në lidhje me këto ngjarje ai ka rrëfyer se është arrestuar pa fakte dhe pa asnjë lloj prove, pa u gjetur asnjë armë krimi dhe pa ADN. “Unë për çdo akuzë për veprat penale që kam kryer i kam pranuar vet ashtu siç ka ndodhur dhe pa u trembur”, ka rrëfyer Dushku.

Ai akuzohet edhe si pjesëmarrës i disa organizatave terroriste në Greqi, “17 Nëntori” dhe “Grupi i Zjarrit”, diçka të cilën e ka pranuar.

Ai ka shtuar:

Akuzohem si bashkëpunëtor dhe anëtari i dy organizatave të njohura në Greqi asaj 17 Nëntori dhe Grupi i Zjarrit, gjë të cilën e kam pranuar dhe e pranoj se jam pjesë e tyre, por nga ana tjetër më akuzojnë për vënie bombash gjë të cilën nuk e kam bërë asnjë here.”

Plani i famshëm i arratisjes

Dushku kishte hartuar një plan arratisje nga burgu i Koridhalosit  ku përfshihej hedhja në erë e murit të burgut dhe parashikohej arratisja e disa prej krerëve të mafias greke, por edhe pjesëtarëve të grupit gueril “Komploti i celulave të zjarrit”, që vuajnë dënime për akte terroriste.

Ky plan u zbulua vetëm pas një kontrolli të befasishëm në qelinë e tij pasi u gjet një armë zjarri e çmontuar, disa thika artizanale, doreza hekuri dhe telefona celulare. Në momentin kur gardianët hynë në qeli e gjetën Dushkun duke folur në Skype.

Hera e parë që në burgjet greke gjenden laptopë me internet

Si gjetja me e rëndësishme konsiderohen dy laptopë që madje ishin të lidhura me internet nëpërmjet një USB-je. Në momentin kur gardianët hynë në qeli e gjetën Dushkun duke folur në Skype. Kjo u shënua si hera e parë që gjenden laptopë në burgjet greke.

Plani mendohet do të vihej në zbatim më 4 shkurt, ditën e manifestimit të protestës kundër emrit të Maqedonisë, ku do të përqendrohej gjithë vëmendja e forcave të rendit. Mendohet se të burgosurit do të merrnin peng gardianët dhe do t’i kërcënonin derisa t’u hapeshin dyert e hekurta dhe rruga drejt lirisë.

Për atë tentativë Fabio Dushku u dënua me 8 vjet burg, ndërsa gjatë procesit gjyqësor ishte shprehur krenar për miqësinë e tij me guerilasit e "Komplotit të Celulave të Zjarrit". Ky dënim i ri iu shtua burgimit të përjetshëm që ishte caktuar për Dushkun.

Shqiptari aktiv në rrjetet sociale

Sipas mediave greke, Fabio Dushku kishte dhe profilin e vet ne Facebook, me emrin "Vrasësi profesionist", ndërsa kishte publikuar edhe lidhje me Skype dhe shfaqej tejet aktiv në rrjetet sociale.

Postimet me “Fuck the police" dhe “Rroftë Anarkia” mbizotërojnë kudo. Shqiptari gjithashtu duket një fans i armëve dhe makinave të shtrenjta. I riu duket i apasionuar për të krijuar miqësira virtuale, ndërsa i pëlqejnë edhe këngët greke.

Fabio Dushku, mik i Alket Rizait

Mes shumë gjërave që ka postuar Fabio Dushku, spikat edhe një foto ku shihet bashkë me Alket Rizain, shqiptarin e njohur për arratisjet e tij të bujshme, që sot vuan ende dënimin në burgjet greke. Po ashtu, Dushku i kishte kushtuar rëndësi edhe vrasjes së bujshme e Vasilis Stefanakos, i cilësuar si ‘koka’ e mafias në Greqi si dhe njihet për lidhjen e tij të ngushtë me shqiptarin Alket Rizain. Stefanakos u qëllua me 11 plumba nga breshëria e një kallashnikovi.

Dushku i kushtoi një status prekës Stefanakos, ndërsa nuk nguron që ta quajë atë edhe mik. Madje në shenjë solidarizimi, më 17 janar, ditën kur ndodhi vrasja e Stefanakos, Dushku kishte vendosur edhe një fjongo të zezë në profilin e tij.

Image
Image
Image
Image