Limaj e Shala: Kompanitë po ia shohin hairin vendimit për ndalimin e eksportimit të drurit jashtë vendit

  • 15 May 2019 - 13:41
Limaj e Shala: Kompanitë po ia shohin hairin vendimit për ndalimin e eksportimit të drurit jashtë vendit

Fabrikat dhe kompanitë të cilat merren me përpunimin e produkteve nga druri po ia shohin hairin vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e eksportimit të masës drurore si lëndë e papërpunuar nga Kosova.

Kështu u bë e ditur gjatë vizitës së zëvendëskryeministrit të Kosovës, Fatmir Limaj, bashkë me ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala në kompaninë, e cila merret me përpunimin e produkteve nga druri “Elnor’.

Limaj tha se përmes vizitës në këtë kompani donin të përcjellin mesazhet për të gjitha kompanitë që merren më këtë lëmi.

“Para disa dite ministri Shala ka propozuar në Qeveri një vendim të rëndësishëm dhe donim të shihnim impaktin që ka pas ai vendim. Nga ajo që ne dëgjuam ka qenë një vendim i jashtëzakonshëm dhe për këtë kompanitë, por edhe kompanitë tjera”, ka thënë Limaj.

Më tutje, Limaj tha se me një përkushtim dhe një partneritet të ngushtë Qeveri biznes, atëherë rezultatet nuk do të mungojnë.

Image

“Partneritet që nënkupton duke i ndihmuar biznesit,  duke krijuar mundësi dhe lehtësira e duke eliminuar procedurat burokratike e ardhmja e këtij vendi dhe ekonomisë është e sigurt dhe është e sigurt duke iu falënderuar duarve të vyera të njerëzve tanë që kanë guxim dhe iniciative”, ka shtuar Limaj.

Në fund numri dy i Qeverisë së Kosovës i ka siguruar drejtuesit e kësaj kompanie se vendime dhe masa të tilla mbrojtëse për prodhuesit vendor do të merren në vazhdimësi në mënyre që të krijohet mundësi dhe hapësire për zhvillim të biznesit.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, shprehu përkushtimin e ministrisë të cilën ai e drejton për përkushtimin e tij për të përkrahur prodhuesit vendor si dhe për të parë efektet e vendimit për ndalimin e eksportimit të lëndës së parë drurore. Ky vendim thotë Shala i ndihmon kompanitë vendore të përpunimit të drurit dhe fabrikat e mobileve të jenë më konkurrentë në treg vendor dhe ndërkombëtare.

Vjosa Ukaj menaxhere e kësaj kompanie tha se i janë gëzuar vendimit për ndalimin e eksportit të lëndës së parë, sepse, kjo sipas saj, ndikon në funksionimin dhe qëndrueshmërinë e kësaj lënde.

(Kosova Sot Online)