Preteni: Korrupsioni në majat e shtetit, Gjyqësori në gjumë dimëror!

  • 15 May 2019 - 15:14
Preteni: Korrupsioni në majat e shtetit, Gjyqësori në gjumë dimëror!

Sipas njohësve të fushës së sundimit të Ligjit në Kosovë, problemi më i madh që ka sot shoqëria kosovare, edhe pse mbi 11 vite pas pavarësisë, është mungesa e sundimit të ligjit. Madje kjo tematikë trajtohet çdo ditë si krye problem për mbi 15 vite me radhë vetëm në Gazetën “Kosova Sot”.

Image
Hasan Preteni

Sipas analistëve, krimi I organizuar dhe korrupsioni vazhdon të jetë i shtrirë pa përmirësueshëm në 4 nivele: krimi dhe korrupsioni qeveritar në të gjitha institucionet e shtetit, ai i pushtetit komunal, ai i sistemit të drejtësisë- prokurori,gjykatë, dhe ai krimi ordiner. Për këtë pasojë shtetit dhe shoqërisë së Kosovës e keqja më e rëndë po i vjen prej tërë këtij sistemi mirë funksional dhe bashkëveprues të këtyre 4 niveleve, rangjeve apo shtrirjeve të krimit dhe të korrupsionit, të cilët kanë bërë të mundur instalimin e këtij sistemi kriminalo-korruptiv, ku më kryesori është korruptimi, kriminalizimi dhe degradimi i sistemit të drejtësisë.

Një gjendje të tillë e konstaton edhe njohësi me përvojë i fushës së sundimit të ligjit, ish kreu i AKK-së,Hasan Preteni, sipas të cilit, niveli më i lartë i korrupsionit ka kapur institucionet e larta të shtetit.

“Korrupsioni në nivelin qendror është më i dëmshëm dhe më i rrezikshëm, me kosto më të lartë. Korrupsioni në nivelin lokal dhe në pushtetet tjera është vetëm refleksion i asaj se qka po ndodh në nivelin qendror. Në baza ditore ka shembuj të shumtë, rezerva financiare që po harxhohet në projekte të pa rëndësishme si për mirëmbajtje dhe financim të projekteve pa interes vital. Po vetëm ky debati për keqpërdorimet në Telekom ishte dashtë që të alarmonte gjyqësorin, gjithë ato akuza me emra konkret dhe asnjë lëvizje. Të zgjedhurit e popullit flasin për krim të organizuar me emra të veçantë të të gjitha pushteteve dhe asnjë reagim. Flasin për detyrime për lidhje kontratash, flasin për zhvatje,flasin për kontrata të dëmshme, flasin për lidhje konkrete mafioze, për lidhje të grupeve të interesit me qëllim të dëmtimit të pronës publike dhe asgjë”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Prandaj sipas Pretenit, "për shkak të krejt kësaj gjendje vazhdimisht kemi bindjen dhe ndjenjat se po jetojmë në një vende pa shpresë ku edhe numri i banorëve po zvogëlohet me shifra enorme sepse qytetarët e ndershëm nuk mund të jetojnë në një shoqëri të kriminalizuar".

“Nga Kosova nuk po ikin vetëm të rinjët, por edhe ata me paga të mira e vende stabile pune. Po ikin jo për lekë por po ikin nga depresioni i përgjithshëm që na ka kapluar nga kjo klasë politike e pa përgjegjshme dhe kriminale. Gjyqësori po e monitoron situatën duke mos e prishur gjumin dimëror edhe pse kaluan 20 pranvera”, theksoi Preteni për “Kosova Sot Online”.

Ai ka pohuar se" klasa politike e ka bllokuar dhe shantazhuar gjyqësorin e pastaj po vepron e pa frikësuar nga askush".

“E pa moralshme, e pa integritet dhe skajshmërisht idioteske vepron pa turp, shteti nuk funksionon e nga frika “ nga lartë ” nuk llogaritë fare. Fund i keq për ta e humbje kohe e pa justifikueshme për qytetarin”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)