Bashkësia ndërkombëtare të izolojë politikanët kriminelë

  • 15 maj 2019 - 15:59
Bashkësia ndërkombëtare të izolojë politikanët kriminelë

Ambasada amerikane në Prishtinë, përmes një komunikate për media shprehu brengën se SHBA-ja vazhdon të mbetet e shqetësuar nga veprimi i Qeverisë së Kosovës, për emërimin e individëve të pakualifikuar në pozita të larta qeveritare. Në komunikatë, theksohet se këtu përfshihen edhe individë të dënuar për krime lufte, individë nën aktakuzë aktive për krime të rënda dhe të dyshuar për keqpërdorim të rëndë të pozitës, duke ju bërë thirrje udhëheqësve që ta marrin këtë çështje më seriozisht dhe të ndalin emërimet politike.

Lidhur me këtë çështje, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot Online”, analisti politik Faik Krasniqi ka potencuar “po më duket hipokrizi nga ana e ndërkombëtarëve me këto reagime, kur ata shumë mirë i kanë ditur këto gjëra. Bashkëpunimi me partitë politike ka vazhduar, pavarësisht veprimeve të tyre kriminale. Kosova që dy dekada është e izoluar, respektivisht qytetarët e saj, por jo edhe politikanët”.

Sipas Krasniqit, “punësimet në institucionet e Kosovës, gjithmonë janë bërë përmes partive politike dhe nepotizmit. Meritokracia kurrë nuk ka ardhur në shprehje. Prandaj të rinjtë dhe të rejat e Kosovës po e braktisin vendin, sepse janë të vetëdijshëm që kurrë s'do të mund të punësohen edhe pse mbarojnë studimet dhe janë adekuate për postet përkatëse. Kjo nuk është diçka e re. Në këto dy dekada kështu ka shkuar. Edhe në të kaluarën janë punësuar njerëz me të kaluar kriminale. Po më duket hipokrizi nga ana e ndërkombëtarëve me këto reagime, kur ata shumë mirë i kanë ditur këto gjëra”.

Tutje sipas Krasniqit “bashkëpunimi me partitë politike ka vazhduar, pavarësisht veprimeve të tyre kriminale. Kosova që dy dekada është e izoluar, respektivisht qytetarët e saj, por jo edhe politikanët. Një qytetar i thjeshtë s'mund të lëvizë më larg se në disa shtete që i kemi përreth, kurse politikanët lëvizin në gjithë botën pa asnjë problem”.

“Këtu qëndron hipokrizia e Bashkësisë Ndërkombëtare, ku qytetarët i ndëshkojnë me izolim, kurse politikanët kriminelë që e kanë sjellur vendin në këtë gjendje i shpërblejnë me lëvizje të lirë, në vend që të ndodhte e kundërta.Unë nuk mbajë shpresë tek asnjë shtet që të çlirohemi njëherë e përgjithmonë nga kjo klasë politike kriminale. Nderin më të madh që ata mund të na bëjnë, është izolimi i kësaj klase politike në pushtet, kurse popullin ta çlirojnë nga ky getoizim. Këta do largoheshin vetë, kur s'do të mund ta vizitonin asnjë shtet të botës”, ka theksuar Krasniqi, për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)