Lideri suprem i Iranit: Nuk luftojmë me Shtetet e Bashkuara

  • 15 May 2019 - 17:18
Lideri suprem i Iranit: Nuk luftojmë me Shtetet e Bashkuara

Lideri suprem i Republikës Islamike të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, tha se Tehrani nuk kërkon luftë me Shtetet e Bashkuara, pavarësisht rritjes së tensioneve mes dy rivalëve të ashpër për kapacitetet bërthamore të Iranit dhe programit të tij raketor.

Gjatë komenteve para zyrtarëve të lartë, Khamenei përsëriti se shteti i tij nuk do të zhvillojë negociata me Shtetet e Bashkuara për ndonjë marrëveshje tjetër bërthamore.

“Nuk do të ketë ndonjë liuftë. Populli Iranian e ka zgjedhur rrugën e qëndresës. Nuk do të kërkojmë luftë dhe as ata nuk e kërkojnë. Ata e dinë se kjo nuk është në interesin e tyre”, tha Khamenei.

Presidenti amerikan, Donald Trump, vitin e kaluar e tërhoqi vendin e tij nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive botërore. Sipas kësaj marrëveshjeje, Irani e kufizoi pasurimin e uraniumit dhe në këtë mënyrë u lirua nga sanksionet ndërkombëtare.

Prej asaj kohe, Trump i ka shtuar sanksionet ndaj Iranit me qëllim që ta bllokojë shitjen e naftës së këtij shteti dhe ta detyrojë atë që të bëhet pjesë e negociatave për një marrëveshje më të gjerë bërthamore, në të cilën do të përfshihej edhe kufizimi i programit raketor, shkruan “Reuters”.

(Kosova Sot Online)