“Alarmi i ‘Bild’ për gangsterët në pushtet nuk është i panjohur”,Reagon ish-Presidenti: Tregon se për shqiptarët…

  • 15 May 2019 - 20:13
“Alarmi i ‘Bild’ për gangsterët në pushtet nuk është i panjohur”,Reagon ish-Presidenti: Tregon se për shqiptarët…

Duke reaguar pas shkrimit të gazetës gjermane “Bild”, ish-Presidenti Bujar Nishani shkruan se kjo gazetë prestigjioze nuk shkruan për shqiptarët por për të informuar qytetarët evropianë.

Sipas tij, me këtë artikull, tregohet se sa të mëdha dhe të vështira janë përgjegjësitë e shqiptarëve për vendin.

Reagimi i plotë i Bujar Nishanit:

Gazeta e madhe dhe influente në Gjermani, BILD shkruante dje: “…Shqipëria është shembulli kryesor i një vendi kaotik në duar gangsterësh…”.

E turpshme për të gjithë ne!

E turpshme por dhe kriminale për ata që në krye të 6-të viteve qeverisje të këtij vendi e kthyen atë në ferrin e qytetarëve të vet dhe parajsën e gangsterëve.

Por, gjithashtu një realitet që na turpëron të gjithëve, duke na veshur imazhin e të përkundurve ndaj gangsterëve e të pazotët për ti treguar vendin që meritojnë në të vërtetë gangsterët që kanë pushtuar institucionet në këtë vend.

Konstatimi i Bild se Shqipëria është në duart e gangsterëve nuk është i panjohur për shqiptarët por ai tregon se çfarë imazhi ka imponuar për ne në perëndim qeverisja aktuale e “rilindësve”.

Denoncimi i Bild nuk e zgjidh dot kaosin që kanë krijuar anarkistët në pushtet por tregon se sa të mëdha dhe të vështira janë përgjegjësitë e shqiptarëve për vendin dhe fëmijët e tyre.

Natyrisht që Bild nuk jep receta se si shqiptarët duhet të gjejnë rrugën e kthimit të vendit të tyre në normalitet por ajo qartëson opinionin publik në perëndim se gangsterët shqiptarë nuk janë të rrezikshëm vetëm për qytetarët e Shqipërisë por kërcënojnë tashmë drejtpërdrejt edhe sigurinë e qytetarëve evropianë.

Alarmi i Bild tregon se si mund të asgjësohet e vërteta publike në një vend prej propagandës spekulative kur pushtetet e rëndësishme të medias dhe drejtësisë financohen e menaxhohen nga krimi organizuar në funksion të gangsterëve në pushtet.

Media e lirë dhe prestigjiozë Bild nuk shkruan për të informuar qytetarët shqiptarë, sepse nuk ka njeri në këtë vend që nuk i njeh gangsterët, qofshin ata që përndiqen e dhunohen nga gangsterët e qofshin ata që i ndjekin pas e u shërbejnë gangsterëve.

Bild u tregon qytetarëve evropianë se si taksat dhe parimet e tyre keqpërdoren, tjetërsohen dhe hidhen në koshin e korrupsionit, kapakun e madh të të cilit gangsterët e kaosit shqiptar e mbajnë hapur “non stop”!

(Kosova Sot Online)