Serbia nuk zbaton marrëveshjet me Kosovën, nuk zhvillohen as takimet për kufirin

  • 15 May 2019 - 21:44
Serbia nuk zbaton marrëveshjet me Kosovën, nuk zhvillohen as takimet për kufirin

Arrestimi i shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, në marsin e vitit 2018, nuk ka kaluar pa veprime hakmarrëse nga pala serbe. Ata kanë hedhur poshtë zbatimin e të vetmes marrëveshje që funksiononte mes doganave të të dyja shteteve.

Kjo ka shkaktuar anulimin e takimeve mes palës kosovare dhe asaj serbe në pikat doganore Jarinjë dhe Bërnjak, të parashikuara në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2011.

Sipas kësaj marrëveshjeje, të dyja palët duhet të takoheshin për diskutim së paku një herë në muaj, bashkëpunim i cili realizohej përmes “EULEX”-it.

Drejtori i pikave doganore në veri, Besim Curri tregon se takimet kanë pasur ndikim në menaxhimin e kontrabandës, pasi Veriu i vendit konsiderohet si “zona gri”.

“Në territorin e Mitrovicës zakonisht kemi ekipe 24 orë, të cilat bëjnë edhe kontrollin e dytë, përpos kontrollit që bëhet në pikën kufitare. Bëjmë kontrolle edhe në rrugë, ku ka ekipe aktive në 24 orë të ditës”, tha Besim Curri, drejtor i pikave doganore në veri.

Erik Morina tregon se palës serbe i është ndaluar komunikimi me ta në çfarëdo forme.

“Takimet kanë qenë shumë të rëndësishme, por për momentin nuk kemi takime të rregullta. Sigurisht që mungesa e takimeve të tilla na shkakton mangësi në marrjen e informacioneve lidhur me procedurat doganore”, tha Erik Morina, shef i ndërrimit në pikën doganore Jarinjë.

Serbia ka nisur edhe më tepër mosrespektimin e marrëveshjeve të Brukselit, pas vendosjes së masës nga nëntori i vitit të kaluar. Përkundër kësaj Bashkimi Evropian nuk ka reaguar.

(Kosova Sot Online)