Kryeministri Haradinaj viziton Policinë e Kosovës

  • 16 May 2019 - 17:48
Kryeministri Haradinaj viziton Policinë e Kosovës

Sot Policinë e Kosovës e ka vizituar kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ku janë diskutuar çështje të rëndësishme rreth sigurisë së përgjithshme në vend dhe mirëqenies së zyrtarëve policor.

“Kryeministri Haradinaj ishte i shoqëruar edhe nga ministri i Financave z.Bedri Hamza dhe  ministri i Punëve të Brendshme z. Ekrem Mustafa, të cilët janë pritur në takim nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, z. Rashit Qalaj me bashkëpunëtorë.

Në takimin i cili u realizua në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të PK-së, z. Qalaj fillimisht falënderoi kryeministrin z. Haradinaj për vizitën e tij dhe njëkohësisht përmes një prezantimi njoftoi të pranishmit mbi angazhimet, aktivitetet dhe realizimin e objektivave të Policisë së Kosovës, të cilat kanë treguar rezultate pozitive në fusha të ndryshme përgjatë kësaj periudhe kohore të këtij viti. 

Policia e Kosovës vazhdon të mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, në funksion të zbatimit të ligjit, me qëllim të ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike në vend.

Ndërsa kryeministri Haradinaj ka falënderuar drejtorin Qalaj dhe të gjithë policët e Kosovës për punën që e bëjnë në sigurimin e qytetarëve dhe pronës së tyre, duke vlerësuar se PK-ja është një ndër institucionet që e bart përgjegjësinë kryesore, për të zbatuar ligjin, për të zbatuar rendin dhe sigurinë publike.

Andaj Qeveria e Kosovës do të kujdeset që të përkrah Policinë e Kosovës në fusha të ndryshme përfshire edhe në pajisjet e nevojshme logjistike, të cilat ju shërbejnë si mjet i punës në realizim të detyrave në mënyrë sa më efikase”, thuhet në njoftimin dërguar mediave.


(Kosova Sot Online)