Shpërthen Aliu: Paratë e rezervave të shtetit po keqpërdoren për shëtitje të ekipit negociator!

  • 17 May 2019 - 07:38
Shpërthen Aliu: Paratë e rezervave të shtetit po keqpërdoren për shëtitje të ekipit negociator!

Pas publikimit të lajmit, sipas të cilit qeveria e Kosovës ka filluar të shpenzon edhe rezervat e buxhetit të shtetit, për t`i kënaqur me paga njerëzit e emëruar në ekipin negociator me Serbinë, ka reaguar edhe analisti Bislim Aliu, sipas të cilit, nuk ka asnjë kuptim, nuk ka fare nevojë që të paguhen këta njerëz që rrinë kot së koti, 12 veta në një zyrë dhe kështu marrin paga kot.

Image
Bislim Aliu

Madje Aliu është i mendimit se derisa nuk ka bisedime me Serbinë, as që do të duhej paguar këta njerëz , vetëm pse kanë zënë zyra dhe janë shkruar emrat e tyre në listën e ekipit.

“Ta themi shumë realisht se nuk ka nevojë fare për këtë ekip, as për shpenzime të tilla kot së koti. Praktikisht, nuk ka kurrfarë dialogu me Serbinë, nuk ka as takime dhe udhëtime të delegacioneve. Nuk ka asnjë dilemë këtu se ky nuk është gjë tjetër veç se një ekip i vetë shpallur negociator, që si i tillë vazhdon edhe më tej të funksionon ashtu vetëm për ta zhvatë buxhetin e shtetit për një grup të ngushtë individësh që marrin paga të majme! Vërtetë është e pa pranueshme sjellja e tillë e zyrtarëve të shtetit me djersën e taksapaguesve lojal të shtetit. Logjika dhe kuptimi i funksionimit të këtij ekipi humb akoma më shumë kur ne informohemi se Qeveria e Kosovës, për Ekipin Negociator, i ndau 300 mijë euro, dhe duke mos pasur linjë tjetër buxhetore, hyn borxh dhe shpenzon nga rezervat shtetërore. E ku ka të shkon më tutje veprimi skandaloz, ku ka të shkon më mbrapsht se sa të shpenzohen e zhvaten rezervat që shërbejnë për intervenime emergjente, ndërsa ato dedikohen për shëtitje të ekipit negociator, për shëtitja të disa dajallarëve e familjarëve të tyre”, tha Bislim Aliu për “Kosova Sot Online “.

Bislimi kërkon që një institucion i pa varur një auditor, të merret edhe me hetimin se si dhe mbi çfarë kriteresh ka ndodhur punësimi i atyre 12 vetave kinse në emër të ekipit që shpenzojnë buxhet koti. “Dhe këtu vërtetë shtrohet pyetja dhe dikush duhet të merret me atë çështje, a thua, si janë punësuar 12 persona në ekipin negociator, ku vetëm për paga, për muajin prill, iu janë paguar gati 10 mijë euro. Mendoj se ekipi negociator, është një ekip kot, që realisht as që nuk dinë qëllimin që e kanë, por vetëm e vetëm, për ta zhvatur e shpenzuar paranë e tatimpaguesve kosovarë. E derisa është kështu duhet të ndërpritet financimi i kotë i këtyre njerëzve dhe të kursehen së pakut rezervat e shtetit të Kosovës”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)