Paralajmëron Zeqa: Tribunali me 20 vite vonesë, tallje me viktimat dhe të zhdukurit e luftës

  • 17 May 2019 - 07:44
Paralajmëron Zeqa: Tribunali me 20 vite vonesë, tallje me viktimat dhe të zhdukurit e luftës

Analisti politik Florim Zeqa, duke analizuar iniciativën e Kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, për krijimin e një Tribunali Ndërkombëtar për krimet e serbëve në Kosovë gjatë kohës së luftës, ka thënë për "Kosova Sot Online" se kjo iniciativë dhe ky institucion drejtësie me përmasa ndërkombëtare, siç e mendon Veseli, përveç se është vonuar është edhe i pamundur, është tallje me viktimat dhe të zhdukurit e luftës së fundit në Kosovë. Kjo zgjidhje sipas analistit Zeqa është dashur të bëhet në kohën kur është votuar Gjykata Speciale , e një anshme, për krimet e supozuara të UÇK-së.

Image
Florim Zeqa

“E vonuar dhe pamundur, për faktin se kur është votuar Gjykata (e njëanshme) Speciale në Kuvend, atëherë është dashur të kushtëzohet themelimi i saj me përfshirjen edhe të krimeve serbe e jo vetëm atyre të supozuara të UÇK-së! E pamundur për faktin se nuk mund të funksionojnë dy Gjykata Speciale paralelisht, një për serbët e një për shqiptarët siç pretendojnë politikanët "handikap" të Kosovës. Sikur po harron, me dëshirë, Kadri Veseli dhe kadrushat e tjerë se Gkykata Speciale për krimet e supozuara të UÇK-së është themeluar me bekimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe me bekimin e liderëve politikë të krahut të luftës”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Zeqa, qëllimi i kësaj nisme do të mbetet puro elektoral. “Të gjitha propozimet e fundit të dërguara në kuvend nga nisma Kadri Veselit për gjenocidin serb, janë propozime dhe vendime të vonuara që po bëhen për efekt elektoral, gjegjësisht për ngritjen e partisë (PDK-së) me imazh të lënduar politik. Është mirë që Veseli &Co të tregojnë ku ishin që 20 vjet pas luftës dhe 11 pas pavarësisë që nuk iu ra ndërmend të hedhin në Kuvend Propozim-Rezolutën për gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë”, theksoi analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Pra, sipas tij, është mirë që të tregoj Veseli &Co bashkë me krejt krejt klasën politike në Kosovë, ku ishin kur u nis dialogu me Serbinë, kur u amnistuan kriminelët serb të luftës dhe kur u votua Gjykata Speciale.

“Zgjimi i vonuar i Kadrushëve në Kosovë, po bëhet jo nga dashuria ndaj atdheut dhe respekti ndaj viktimave shqiptare të luftës, por nga zori i Gjykatës Speciale që vetë e krijuan. Thënë ndryshe, Veseli &Co dhe pushtetarët në përgjithësi e kanë hallin e vet e jo të viktimave të luftës. Se vërtetë është kështu, Veseli &Co dhe krejt kjo klasë politike nuk guxuan dhe as që guxojnë të përmendin dëmet e luftës që Serbia i bëri në Kosovë, për më tepër se kaq nuk i lejuan as Gjykatat në Kosovë që t'i trajtojnë paditë për dëmet e luftës kundër Serbisë”, tha analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Ai po ashtu ka thënë se nismat e vonuara por shumë të kushtueshme të pushtetarëve për Memorialin “Bllaca 99”, për Gjykatën Speciale për krimet serbe dhe Memorialin-Muze për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, e kanë për qëllim shpërqendrimin e vëmendjes së opinionit publik nga dështimet në qeverisjen e vendit, gjegjësisht nga krimi i organizuar dhe korrupsioni endemik në institucionet shtetërore dhe marketingut politik për nevoja elektorale të liderëve shtetëror dhe partiak njëkohësisht.

(Kosova Sot Online)