Aliu: Në Kosovë, po që se flet e vepron kundër interesave të mafio-oligarkëve, rrezikon edhe jetën!

  • 17 May 2019 - 12:52
Aliu: Në Kosovë, po që se flet e vepron kundër interesave të mafio-oligarkëve, rrezikon edhe jetën!

Sipas analistit politik Bislim Aliu, lufta e fshehtë dhe projektet e eliminimit të kundërshtarëve të fushave të ndryshme, është aq e sofistikuar nga ana mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale në Kosovë, sa që paraqet rrezik serioz, dhe është për tu alarmuar ngase ajo bëhet qoftë duke përdorur kërcënimin ose dhunën fizike, apo vrasjet, siç kanë ndodhur menjëherë pas luftës së fundit në Kosovë.

Image
Bislim Aliu

“Ka një alarm se është sofistikuar lufta e fshehte e mafio-oligarkëve të nëntokës kriminale edhe në Kosovë përmes eliminimit të kundërshtarëve politike dhe ekonomik, duke mos përdorur vetëm kërcënimin ose dhunën fizike, apo vrasjet siç kanë ndodhur menjëherë pas luftës së fundit në Kosove, por tanimë ajo po bëhet edhe përmes helmimeve të stilit të Vladimir Putinit në që e ka zbatuar Rusi, që e ka zbatuar edhe në Ukrainë dhe në disa qendra e metropole tjera evropiane, po nga njerëzit e Putinit, që veprojnë ngadalë dhe shkatërrojnë organizmin e personit, që i servohet helmi i tillë fshehurazi”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”. Aliu thotë se rreziku nga këto rrjete kriminale që janë futur brenda Kosovës, është paralajmëruar kaherë edhe nga njohës të sigurisë të cilët tregojnë se në afërsi të territorit të Kosovës, në qytetin e Nishit ka qendra speciale që janë të specializuara, në mes tjerash edhe për qindra lloje të helmeve që përdoren nga shërbimet sekrete të Rusisë, ku funksionojnë bashkë me shërbimin sekret serb dhe agjentët e tyre, që shetisin lirshëm edhe nëpër Kosovë.

“Ndaj institucionet tona duhet të jenë me sy hapur dhe të punojnë pa ndërprerë në zbulimin dhe kapjen e këtyre rrjeteve kriminale, sepse nëntoka kriminale e mafio-oligarkëve në Kosovë, janë të lidhur me këto struktura kriminale e vrasëse dhe po dyshohet se po përdorin të njëjtat mjete të stilit rus dhe atij serb”, theksoi analisti Bislim Aliu për “Kosova Sot Online”.

Prandaj sipas tij, në Kosovë po krijohet një atmosferë e frikshme pikërisht nga veprimi i këtyre grupeve të cilat përdorin edhe mediet për formë shantazhi, për të përfunduar me eliminimin kriminal duke e helmuar kundërshtarin. “Ndaj, në Kosovë po që se flet e vepron kundër interesave të mafio-oligarkëve, rrezikon edhe jetën, duke filluar që t'i hedhin mbi kokë grupin e medieve të kontrolluara prej tyre dhe të financuara nga nëntoka kriminale dhe pastaj vazhdojnë, duke përdorur sistemin e drejtësisë, të cilin e kanë në dorë mafio-oligarkët, bashkë me pushtetarët, e deri tek kërcënimet dhe helmimet e sofistikuara të stilit të Vladimir Putinit në Rusi, Ukrainë dhe atij rus, të cilët po zgjerohen edhe në shtete tjera të Perëndimit,”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)