Mjeku pakistanez dyshohet se infektoi qëllimisht me virusin HIV 437 fëmijë

  • 17 May 2019 - 15:59
Mjeku pakistanez dyshohet se infektoi qëllimisht me virusin HIV 437 fëmijë

Autoritetet pakistaneze e kanë arrestuar mjekun e infektuar me HIV-Aids, Muzaffar Ghangharo, pasi dyshohet se në mënyrë të qëllimshme i ka infektuar me këtë virus 437 fëmijë.

Disa muaj më parë, Fatima Emaan u përball me simptoma të vazhdueshme të gripit. Për këtë arsye, babai i saj e dërgoi te disa mjekë, përfshirë një specialist fëmijësh në Ratodero, qytet i vogël në pjesën jugore të Pakistanit.

Vizitat mjekësore vetëm sa ia përkeqësuan gjendjen shëndetësore vajzës 16-vjeçare. Në shkurt, një mjek i tha babait të vajzës se ajo është duke i shfaqur simptomat e virusit HIV. Më 1 mars dolën rezultatet e testimit. “Ata e përsëritën testin dy-tri herë dhe na thanë se Fatima vuan nga HIV-I”, thotë babai i saj, Syed Shah.

Ai shtoi se vajza e tij ishte fëmija i parë që u diagnostikua me virusin që u përhap shpejt në rajonin e tyre. Mjekët deklaruan se numri i njerëzve të infektuar ka shkuar në mbi 500, në mesin e të cilëve janë së paku 437 fëmijë. 

Policia e arrestoi specialistin e fëmijëve në Ratodero, Muzaffar Ghangharo, dhe po zhvillojnë hetime nëse ai e ka infektuar ndonjë person me qëllim apo përmes trajtimit të rrezikshëm.

Ghangharo, i cili vuan nga sëmundja e Aids-it, e njohur ndryshe si Sida, është akuzuar nga të paktën dhjetë familje që i kanë dërguar fëmijët e tyre me gjilpëra te ky mjek, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Oline)