Haradinaj: Jabllanica pagoi çdo çmim, për t’i thënë “Jo” forcave pushtuese

  • 17 May 2019 - 16:40
Haradinaj: Jabllanica pagoi çdo çmim, për t’i thënë “Jo” forcave pushtuese

“Jabllanica e atëhershme nuk ishte më vetëm shpresë, por u kthye në realitet, sepse kur ke hyrë aty ke qenë i mbrojtur dhe pikërisht për këtë nuk ka udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nuk e ka përfituar Shqipërinë, që nuk i ka ra të pushojë këtu, të vazhdojë e të kthehet prapë këtu”, kështu tha kryeministri, Ramush Haradinaj në Manifestimin Përkujtimor me rastin e 20 -vjetorit të Çlirimit të Jabllanicës tash Shqiponjës.

Fillimisht, kryeministri Haradinaj ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve në Shqiponjë të Gjakovës.

Kryeministri Haradinaj, gjatë fjalës së tij, tha se kjo datë që e kujtojnë sot, është datë krenarie për shqiptarët, vendi, në të cilin gjenden sot, e ka dhënë provimin vet pa ndihmën e askujt nëpër vite, duke iu thënë “Jo”, forcave të armikut.

“Ishte një rast unik, kur një vendbanim i vogël, zonë e varfër, kishte vendosur të jetojë vet, pa u kyçur fare në pjesën tjetër të jetës, të paguaj çdo çmim, për t’i thënë “Jo” forcave pushtuese”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se ai ishte një lajm trimërues për bashkëkombësit kudo në botë.

“Në pranverën e vitit ’99, por edhe para kësaj date, të 17 majit, ishte një diskutim i madh ndërkombëtar se me kënd duhet të konfirmohej paqja, kur të kryhen bombardimet, se kë e ka palë të Kosovës? Diskutimet kanë qenë, që duhet me u marr vesh me Millosheviqin NATO-ja, që në Kosovë nuk ka palë tjetër, që ia konfirmon instancave më të larta në botë, se ky vend, duke e vërtetuar edhe nga fjalët e Xhimi Shia-s se UÇK-ja e ka çliruar qytetin e Jabllanicës”, tha Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj tha se brezi i UÇK-së e gëzon tani të drejtën ta ndërtojë lirinë dhe po e ndërton atë, jo vetëm luftëtarët, por të gjithë ata që kanë jetuar në këtë kohë të kësaj lufte dhe është fat i madh që brezat tjerë janë tani në obligim të një porosie, sakrifice, që ta ndërtojnë lirinë, ta ndërtojnë Kosovën.

“Shqiptarët, gjatë gjithë historisë, në të drejtën e vet, asnjëherë nuk kanë abuzuar. E kanë kuptuar si përgjegjësi të ndërsjellë, që e drejta jonë në këtë etapë kohore të ndërtohet me Kosovën, të cilën e pranuan të gjithë shqiptarët”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se është dashur rrugë e gjatë dhe sakrificë për të ardhur deri këtu ku jemi sot dhe duke e realizuar Kosovën shtet sovran, të pavarur, në territorin e vet, në kufijtë e vet, jemi më të sigurtit. 

“Duhet ta rrisim vetëdijen tonë njerëzore, qytetare, kombëtare, që të mos dështojë Kosova dhe për këtë të gjithë kanë interes edhe komunitetet, sepse po qe se dështon Kosova në planin e vet, në atë që është realizuar, nuk do të ketë stabilitet për askënd”, tha kryeministri Haradinaj, duke potencuar atë që, populli i Kosovës është popull euroatlantik, i cili duhet të insistojë të qëndrojë në të drejtën e vet, e drejtë, e cila është vlerë e përbashkët me bashkësinë ndërkombëtare.

Pas manifestimit u bë zbulimin i pllakës përkujtimore tek kulla e ish-komandantit të UÇK-së, Lahi Brahimaj, pasi kjo kullë, por edhe kulla të tjera, kanë qenë celula të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
 

Image



(Kosova Sot Online)