LDK e shfajëson PDK’në, thotë se përgjegjësia për fotografinë është vetëm e Flora Brovinës

  • 17 May 2019 - 18:56
LDK e shfajëson PDK’në, thotë se përgjegjësia për fotografinë është vetëm e Flora Brovinës

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar lidhur me deklaratat që i ka bërë sot deputetja nga radhët e PDK-së, Flora Brovina, se kinse fotografia e publikuar në Kuvend i është dorëzuar nga ish deputetja e LDK-së, Mevlyde Saraçi, dikur në vitin 2003. LDK ka thënë se Brovina duhet të kërkojë falje.

” Përgjegjësia profesionale, ligjore, morale dhe etike për dokumentet që prezanton znj. Brovina i takon asaj, vetëm asaj dhe askujt tjetër” thuhet në reagimin e LDK’së.

Ky është reagimi i plotë i LDK’së:

Sot, deputetja nga radhët e PDK-së, Flora Brovina paska deklaruar se kinse fotografia e publikuar nga vet ajo në Kuvend, dje më 16 maj, i është dorëzuar nga ish deputetja e LDK-së, Mevlyde Saraçi, dikur në vitin 2003.

Është e papranueshme kjo deklaratë e znj. Brovina që tenton që fajin për mosprofesionalizmin e saj ta hedhë tek të tjerët. Është e udhës që znj. Brovina të kërkojë falje dhe të marrë përgjegjësi për mungesën e profesionalizmit nga ana e saj. Përgjegjësia profesionale, ligjore, morale dhe etike për dokumentet që prezanton znj. Brovina i takon asaj, vetëm asaj dhe askujt tjetër.

Mirëpresim kërkimfalje nga deputetja Brovina drejtuar znj. Saraçi, LDK-së dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës të cilët i traumatizoi me dokumente të rreme. Një deputete që respekton qytetarët që i kanë besuar votën, sot do të dorëzonte mandatin e saj e jo të tentojë të shfajësojë mosprofesionalizmin e saj duke akuzuar të tjerët.

(Kosova Sot Online)