Reagon KMDLNJ: Gënjeshtër, Brovina nuk ka marr asnjë fotografi nga ne

  • 17 May 2019 - 19:05
Reagon KMDLNJ: Gënjeshtër, Brovina nuk ka marr asnjë fotografi nga ne

KMDLNJ i ka reaguar deputetet së PDK-së, Flora Brovina që tha para mediave se e kishte marrë fotografinë nga një zyrtar i Këshillit.

Përmes një komunikate dërguar për media, nga KMDLNJ kanë shkruar se kjo është një gënjeshtër.

“Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina në një prononcim për media ka deklaruar se foton që e ka bërë publike dje në Kuvendin e Kosovës e që ka nxitur shumë reagime e paska marrë nga Mevlude Saraçi kurse lejen për përdorimin e saj e paska marrë përmes telefonit nga një zyrtar/aktivist i KMDLNj-së në vitin 2003. KMDLNj fuqishëm e përgënjeshtron këtë pohim të Flora Brovinës për faktin se nuk është i vërtetë”, thuhet në komunikatë.

Tutje, në shkrim thuhet se për 30 vite nuk ka ndodhur që dikush të demantojë një fotografi apo informatë të Këshillit.

“Për 30 vite të veprimtarisë së KMDLNj-së kurrë nuk ka ndodhur që dikush ta demantojë një fotografi apo informatë të Këshillit. Është një procedurë si merren fotografitë në KMDLNj dhe kjo nuk mund të ndodhë pa lejen e Zyrës në Prishtinë. Si mund të ndodhë që kjo fotografi të mos jetë në zyrat në Prishtinë apo zyrat tjera e këtë ta ketë një person privat? Çdo zyrë e KMDLNj-së në Kosovë e ka pasur përgjegjësinë edhe në vitin 2003 prandaj nuk ka mundur të ndodhë kjo çka deklaron zonja Brovina”, shkruhet tutje.

Sipas komunikatës, drejtori i KMDLNj-së për herë të parë e ka parë këtë foto dje kur u bë publike në holl të Kuvendit të Kosovës.

“Për herë të parë, këtë ‘foto’, Drejtori i KMDLNj-së e ka parë në hapësirën e bufesë të Kuvendit të Kosovës, me dat 16 maj disa minuta pa u bërë publike. Ajo nuk ka qenë foto por një letër e printuar apo fotokopje dhe i ka sugjeruar deputetes Brovina të mos e bëjë publike”.

KMDLNj ka kërkuar nga deputetja Brovina që t’iu kërkojë falje, derisa për të njejtën nuk do të bëjnë padi.

(Kosova Sot Online)