Haradinaj: Zgjedhjet në komunat veriore konfirmojnë përpjekjet tona për paqe të qëndrueshme

  • 17 May 2019 - 19:07
Haradinaj: Zgjedhjet në komunat veriore konfirmojnë përpjekjet tona për paqe të qëndrueshme

Kryeministri, Ramush Haradinaj, ka thënë se zgjedhjet e 19 Majit 2019, për pushtetin lokal në komunat veriore të Kosovës konfirmojnë përpjekjet për paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe prosperitet të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovën.

Në një status në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka shkruar se uron që ky proces zgjedhor të jetë i qetë, fer dhe demokratik.

“Zgjedhjet e 19 Majit 2019, për pushtetin lokal në komunat veriore të Kosovës, pos si shprehje e vullnetit demokratik të qytetarëve përmes votës së lirë, konfirmojnë përpjekjet tona për paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe prosperitet të të gjitha komuniteteve që jetojnë në shtëpinë tonë të përbashkët, Kosovën. Duke shprehur dëshirat më të mira që ky proces zgjedhor të jetë i qetë, fer dhe demokratik, uroj që zgjedhjet të shprehin vullnetin e qytetarëve, pa dallim përkatësisë etnike, fetare ose politike, duke i votuar kandidatët të cilëve u besojnë dhe që nuk i braktisin interesat e qytetarëve”, ka shkruar në Facebook, Ramush Haradinaj.

(Kosova Sot Online)