Testi i maturës, këtë vit me ndryshime

  • 17 May 2019 - 20:39
Testi i maturës, këtë vit me ndryshime

Procedura e përzgjedhjes së lëndëve ka përfunduar në disa shkolla. Pas Garës së Diturisë, nxënësit do t’i nënshtrohen edhe një testi. Këtë radhë maturantët nga e gjithë Kosova do të testohen për njohuritë e fituara gjatë shkollës së mesme të lartë.

Mirëpo këtë vit, Testi i Maturës do të vijë me disa ndryshime. Maturantët do të testohen për katër lëndë, prej tyre tri obligative e një me të drejtë përzgjedhjeje.

Në gjimnazin “Sami Frashëri” tashmë përzgjedhja e lëndës zgjedhore ka përfunduar. E ky ndryshim po vlerësohet pozitivisht, ndonëse nga menaxhmenti i shkollës thonë se greva ka çorientuar paksa nxënësit.

Edhe maturantët një ndryshim të tillë po e shohin si të duhur. 200 pyetjeve të testit të maturës, nxënësit do t’iu përgjigjen në dy ditë të ndryshme. Pragu i kalueshmërisë do të jetë 40%.

Nga Ministria e Arsimit treguan se kur do të mbahet ky test. “ Jemi në pritje të nënshkrimit të vendimit nga Ministri për datat e mbajtjes së testit të Matures Shtetërore dhe sipas të gjitha gjasave këto do të jenë: Pjesa e parë e afatit të qershorit nga data 12.6.2019 deri më 15.6.2019, kurse pjesa e dytë: nga data 19.6.2019 deri më 22.6.2018, paraqitja e provimit është deri më date 5 qershor 2019, kurse tërheqja publike e shortit për regjione do të jetë më 6 qershor 2019”.

Edhe nga Ministria thonë se pritshmëritë për rezultatet e këtij testi janë të larta.

(Kosova Sot Online)