Shtetet e Bashkuara ia heqin Kanadasë taksat për çelikun dhe aluminin

  • 18 May 2019 - 10:33
Shtetet e Bashkuara ia heqin Kanadasë taksat për çelikun dhe aluminin

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë arritur marrëveshje me Kanadanë për largimin e taksave për importimin e çelikut dhe aluminit. Ky ndryshim pritet ta sjellë miratimin e një marrëveshjeje të re tregtare mes shteteve të Amerikës Veriore.

Përmes një deklarate të përbashkët, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja njoftuan se taksa prej 25 për qind për çelikun dhe taksa prej 10 për qind për aluminin do të hiqen në 48 orët e ardhshme. Pritet që ShBA-ja ta nënshkruajë një marrëveshje të ngjashme edhe me Meksikën.

Këto taksa ishin vendosur vitin e kaluar. Autoritetet amerikane kishin deklaruar se arsye për zbatimin e tyre është siguria kombëtare.

Sipas marrëveshjes së re, shtetet nuk kanë kufizime për sasinë e çelikut dhe aluminit që e blejnë nga shtetet tjera.

Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja do të vazhdojnë ta përcjellin importin e këtyre metaleve dhe nëse njëri shtet blen sasi të jashtëzakonshme, vendi tjetër mund të kërkojë bisedime dhe ka mundësi që taksat të rikthehen.

Edhe Kanadaja ka njoftuar se do t’i largojë taksat për çelikun dhe aluminin e importuar nga Shtetet e Bashkuara, të cilat ishin vendosur si kundërpërgjigje ndaj vendimit të amerikanëve, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)