Dobësohet ekonomia ruse, kërkohet ulja e TVSh-së

  • 18 May 2019 - 10:42
Dobësohet ekonomia ruse, kërkohet ulja e TVSh-së

Ekonomia e Rusisë ka ngecur në masë të konsiderueshme në çerekun e parë të këtij viti. Qeveria ka thënë se kjo ka ardhur për shkak të rënies së kërkesës. Autoritetet e kanë rritur vlerën e TVSh-së dhe besohet që kjo ka ndikuar në rënien e shitjeve.

Sipas shërbimit rus për statistika, prodhimi vendor është rritur vetëm 0.5 për qind në tre muajt e parë të vitit 2019 në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo është shifra më e ulët nga viti 2017, kur rritja ishte vetëm 0.3 për qind.

Ministria e Ekonomisë kishte parashikuar më parë që rritja të jetë 0.8 për qind, ndërsa Banka Qendrore kishte thënë se rritja do të shkojë deri në 1.5 për qind.

Pas publikimit të të dhënave, kjo ministri tha se ngadalësimi i rritjes ekonomike ka qenë i pritshëm dhe se kjo dukuri është e lidhur me rënien e kërkesës, e cila erdhi pas rritjes së TVSh-së nga 18 në 20 për qind.

Propozimi i qeverisë për ta rritur vlerën e Tatimit për Vlerën e Shtuar dhe plani për ta ngritur moshën e pensionimit e ka zemëruar publikun rus. Në këtë mënyrë, popullariteti i presidentit Putin dhe partisë së tij, “Rusia e Bashkuar”, ka rënë dukshëm kohës së fundit, shkruan “Free Europe”.

(Kosova Sot Online)