E tmerrshme I riu amerikan ia pret kokën nënës me sharrë metalesh

  • 18 May 2019 - 12:29
E tmerrshme I riu amerikan ia pret kokën nënës me sharrë metalesh

Autoritetet amerikane kanë njoftuar se një djalë 22 vjeç nga Teksasi ia ka prerë kokën nënës së vet duke përdorur një sharrë për prerjen e metaleve. Isaac Israel Warriner është akuzuar për abuzim të trupit të vdekur pasi policia e gjetën trupin e gjymtuar të Sarah Warrinerit në shtëpinë e saj në Denton.

Djaloshi 22 vjeç, për të cilin thuhet se më parë ka vuajtur nga problemet mendore, ende nuk është akuzuar zyrtarisht për vrasjen e nënës, ndonëse policia nuk e ka përjashtuar mundësinë që një gjë e tillë të bëhet gjatë zhvillimit të hetimeve.

Incidenti u zbulua kur policia e Dentonit pranoi një telefonatë nga fqinji i familjes. Ai i tha policisë se djali sillej në mënyrë të çuditshme dhe endej nëpër oborr me mjete për pastrim.

Kur policia shkoi te shtëpia e tyre, ata e gjetën trupin pa kokë të gruas 65 vjeçe dhe një sharrë që përdoret për prerjen e metaleve. Policia nuk e gjeti kokën e gruas në shtëpi.

Autoritetet besojnë se gruaja ka qëndruar në gjendje të vdekur për dy ditë. Djali i saj nuk ndodhej në shtëpi në kohën kur shkoi policia, por ai u pa duke e vozitur veturën e nënës së tij një ditë më vonë. Policia e arrestoi atë menjëherë.

Babai i tij, i cili është ndarë më parë nga bashkëshortja, tha për një gazetë se biri i tij vuante nga problemet psikike para disa muajve. “Ajo e kishte lejuar atë të qëndronte me të pas rehabilitimit. Mjeku i dha ilaçe qetësuese, por duket se ato nuk e ndihmuan”, tha ai, shkruan “Independent”.

(Kosova Sot Online)