Forcat amerikane vrasin gabimisht 17 policë afganë

  • 18 May 2019 - 15:30
 Forcat amerikane vrasin gabimisht 17 policë afganë

Sipas zyrtarëve ushtarakë, 17 policë afganë janë vrarë nga sulmet ajrore të forcave amerikane për shkak të komunikimit të gabuar gjatë përleshjes me talibanët.

Sulmi i përgjakshëm i forcave aleate ndodhi në provincën jugore të Helmandit të enjten në mbrëmje. Forcat afgane kërkuan ndihmë nga ajri nga forcat amerikane pas të shtënave të shumta nga luftëtarët talibanë pranë kryeqytetit të këtij rajoni, Lashkar Gah.

Ushtria amerikane tha se filloi sulmet në këtë zonë pasi u informua se në të nuk ka forca aleate. “Për fat të keq, në ato zona kishte edhe forca aleate dhe kështu ndodhi një aksident tragjik. Në këto sulme u vranë luftëtarët talibanë dhe forcat afgane të sigurisë”, tha koloneli Dave Butler.

“Jemi duke e hetuar gabimin në komunikim për t’u siguruar që një gjë e tillë të mos përsëritet. Na vjen keq për këtë humbje tragjike të partnerëve tanë dhe jemi të përkushtuar për t’u përmirësuar përditë në secilin mision”, shtoi ai.

Në këto sulme u plagosën edhe 14 policë të tjerë afganë. Policia u sulmua fillimisht në momentin kur u përpoqën ta largojnë një flamur të talibanëve. Pasi dështuan t’i mposhtin militantët, ata e kërkuan ndihmën e forcave amerikane, shkruan “Independent”.

(Kosova Sot Online)