Reagon Preteni: Drejtësia kosovare është në gjendje kome!

  • 18 May 2019 - 17:17
Reagon Preteni: Drejtësia kosovare është në gjendje kome!

Nisur nga mënyra se si po kalon në heshtje, reagimi i  kësaj fund jave nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, për sistemin e drejtësisë, Njohësi i kësaj fushe, ish kreu i AKK-së, Hasan Preteni, tha për “Kosova Sot Online” se  një institucion që nuk është funksional, sikur është sistemi i drejtësisë kosovare, nuk ka se çka thotë pasi që ka vite që drejtësia kosovare është në gjendje kome, dhe tani ka rënë krejtësisht në vdekje klinike. E për ta ngjallur atë ai thotë se duhet pastruar me VETTING, sado që  për të filluar në proces të tillë do te ketë edhe rezistencë të ashpër.

“Sistemi i drejtësisë nuk funksionon, është në vdekje të thellë klinike. Te freskëta i kemi akoma disa sekuenca nga dokumentari. Polit byroja politike në Shqipëri nën kryesimin e Enver Hoxhes,  bisedonin për rastin e Kadri Hazbiut, edhe aty krye diktatori kërkoi burgosjen e “ viktimës”. Kjo më ringjalli ndjenjën kur nga Politika u kërkua hetimi për rastin e Flora Brovines, të nesërmen u intervistua dhe prokurorja doli në konferencë për media! Kur ka ndodhur kjo, çfarë efikasiteti?! Definitivisht nuk ka hetime e mos të flasim për gjykime pa folur politika. Kryeprokurori duhet të vendos se a duhet te hapet ndonjë raste apo jo, e kryeprokurori është nen kthetrat e politikes, i shantazhuar në tërësi,”tha Preteni për “Kosova Sot Online”. 

Sidoqoftë, ai mendon se vetëm dekriminalizimi i politikës dhe  VETTING-u në drejtësi, do ta vendosin sistemin në binarët funksional. “ Po them,  për çfarë sistemi të drejtësisë po flasim. Pa një ndryshim të skenës politike me themel dhe fillimin e pastrimit duke filluar nga gjyqësori, ndryshime më rrënjësore, Veting si në Tiranë jam i sigurt që nuk do të ketë efikasitet. Jam i sigurt se do të ketë rezistencë të fuqishme. Ashtu siç po “ frikohen” nga Gjykata Speciale ashtu do të reagohet edhe me fillimin e pastrimit të gjyqësorit. Do të ketë bllokada e protesta por kjo është e domosdoshme. Uroj që kjo lëvizje të jetë në agjendën e sponsorizuesve të pavarësisë. Kjo me bllokimin e vizave uroj të jetë hapi i parë. Me hajna dhe  me këtë gjyqësor definitivisht nuk ka shtet”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )