Miqësia me shefat e politikës kosovare të vëllait sekser të Hajdar Beqës

  • 18 May 2019 - 20:47
Miqësia me shefat e politikës kosovare të vëllait sekser të Hajdar Beqës

Hasan Beqa, vëllai i deputetit në Kuvendin e Kosovës, Hajdar Beqa, që kishte luajtur rolin e sekserit duke kërkuar nga një biznesmen gjakovarë 33 përqind të aksioneve të kompanisë së tij në shkëmbim të një nënshkrimi nga komuna, shihet se ka miqësi me shefat.

Mjafton një shikim i profilit të tij në Facebook, dhe Hasanin e sheh përkrah shumë politikanëve, duke filluar nga Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ministra e deri tek deputetë tjerë të kuvendit.

Në fotot të cilat i ka publikuar vëllai i deputetit, Hasani në faqen e tij në Facebook, ai shihet në ndeja me Ministrin e Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala.

Ndërsa ulur këmbë kryq nëpër oda ai është së bashku me presidentin Thaçi. Ndërsa me kryeministrin Haradinaj në bazë të këtyre fotove ai duket se e ka vizituar në zyrën e tij në objektin e Qeverisë.

E në setin e tij fotografik nuk mungon as fotoja me shefin e vëllait të tij, Kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli i cili njëherit është edhe Kryetar i Kuvendit të Kosovës.

Hasan Beqa së fundi ka luajtur rolin e sekserit duke i kërkuar një biznesmeni nga Gjakova 33 përqind të aksioneve të kompanisë së tij në shkëmbim të një nënshkrimi lidhur me një ankand për riciklimin e mbeturinave që e kishte fituar ky biznesmen në vitin 2017.

Në kërkim të kësaj përqindje dyshohet të jetë i përfshirë edhe deputeti Hajdar Beqa, mirëpo këtë deputeti Beqa e ka mohur duke thënë se është prishje e personalitetit të tij.

“Sonte në emisionin “Drejtësia në Kosovë” me qëllim të njollosjes së personalitetit tim, pa të drejtë mu përmend emri im, kinse unë kam ndikuar në prishjen e një ankandi, në të cilin pretendojnë që vëllau im paska tentuar të bëhet aksionar”, kishte shkruar Beqa.

Ai është shprehur se “E them me përgjegjësi morale e juridike, që unë nuk kam të bëjë asgjë me këtë proces, dhe dy personat e ashtuquajtur biznesmen kanë keqpërdorur emrin tim”.

Beqa ka thënë se i bënë thirrje prokurorisë që të merret me këtë rast.

“Unë i bëj thirrje Prokurorisë se sa me shpejtë që është e mundur ta hetojnë këtë rast”, ka përfunduar Beqa.


(Kosova Sot Online)