Plagosi kamerierin dhe nënën e tij, arrestohet 26-vjeçari. Si ndryshoi gjendja e tij pasi u kthye nga…

  • 19 May 2019 - 09:04
Plagosi kamerierin dhe nënën e tij, arrestohet 26-vjeçari. Si ndryshoi gjendja e tij pasi u kthye nga…

Një emigrant i sapokthyer nga Italia ka shkaktuar plagosjen e dy personave brenda një harku të shkurtër kohor.

Viktimë e agresionit të tij me thikë ka rënë një kamerier dhe vetë nëna e të riut. 26- vjeçari me iniciale G.M. është arrestuar në kushtet e flagrancës pak pas ngjarjes. Mësohet se i riu ka plagosur me thikë nënën e tij, por edhe një tjetër shtetas.

Sipas burimeve nga Policia e Vlorës, 26- vjeçari ka shfaqur probleme psikologjike dhe në momentet kur ka kryer sulmet me thikë, ka qenë në gjendje mjaft të rënduar psikologjike. 26-vjeçari vetëm pak kohë më parë ishte kthyer nga Italia.

Që prej kthimit, sjellja dhe gjendja e tij kishte ndryshuar tregojnë të afërmit. Fillimisht, 26-vjeçari G.M. ka goditur me mjet prerës (thikë), një kamerier në zonën e Lungomares, në momentet kur ka shkuar për të konsumuar një kafe në lokal. Pas kësaj ngjarjeje mësohet se 26-vjeçari është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes drejt banesës së tij, ku pas një konflikti, menjëherë pas mbërritjes në shtëpi, ka goditur dhe nënën e tij po me mjet prerës.

Në momentet e gjendjes së rënduar, 26-vjeçari ka tentuar të godasë edhe babain e tij, i cili ka arritur të shpëtojë duke u fshehur në shtëpi. Pas kësaj, i riu është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Disa metra larg banesës së tij, 26-vjeçari është kapur nga forcat e Policisë. Mësohet se në momentet e arrestimit, gjendja psikologjike e tij ishte mjaft e rënduar.

Nga ana tjetër, gjendja e personave të plagosur mësohet se mbetet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 26-vjeçari akuzohet tashmë për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Dhunë në familje”. Por ajo që mbetet e dyshimtë lidhet me reagimin e Policisë, ngjarje të cilën e ka mbajtur të fshehtë deri tri ditë më vonë, pavarësisht arrestimit të agresorit.

“Policia ka arrestuar në flagrancë shtetasin G.M., 26 vjeç, banues në Vlorë. Specialistët për Hetimin e Krimit pranë Komisariatit të Policisë Vlorë, pas konsultimit me Prokurorin, kanë bërë arrestimin e tij, pasi ky shtetas ka plagosur me thikë nënën e tij dhe një shtetas tjetër për shkak të gjendjes së rënduar psikologjike”, bën të ditur zyrtarisht Policia.

Nga ana tjetër, pritet që gjatë hetimeve, të riut t’i kryhet dhe ekzaminim për përcaktimin e gjendjes së tij mendore.

Banorë të zonës pranë vendit ku u arrestua 26-vjeçari kanë deklaruar për Policinë se i riu ishte gati të qëllonte këdo që i afrohej duke shkaktuar panik. Kjo ngjarje ka risjellë në kujtesë vrasjen e 8-fishtë në fshatin Resulaj, ku Ritvan Zykaj vrau me kallashnikov të afërmit e tij.

(Kosova Sot Online)