Dosja 339/ Vangjush Dako dëshmon 5 orë te Krimet e Rënda për blerjen e votave me trafikantët e drogës

  • 19 May 2019 - 09:07
Dosja 339/ Vangjush Dako dëshmon 5 orë te Krimet e Rënda për blerjen e votave me trafikantët e drogës

Për më shumë se pesë orë, kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, ka dhënë shpjegimet e tij në lidhje me përgjimet e dosjes “339”.

Dy prokurorët e Krimeve të Rënda, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi, pasditen e të enjtes që lamë pas, kanë marrë në pyetje për të dhënë versionin e tij drejtuesin e Bashkisë së Durrësit, i cili nga hetimet për grupin e drogës, ka rezultuar se ka pasur kontakte me disa prej tyre.

Në disa raste, në këto përgjime Dako duket se është i përfshirë në shitblerjen e votës, megjithëse ai e ka mohuar një fakt të tillë publikisht. Dako, në daljet e tij publike, ka pranuar se mund të ketë kontaktuar me ta, por ashtu siç kontakton me qytetarë të tjerë të Durrësit, në cilësinë e kryebashkiakut.

Burime bëjnë me dije se pas përfundimit të transkriptimit të disa prej përgjimeve, tashmë hetimet për këtë dosje kanë kaluar në një fazë tjetër dhe janë marrë shpjegime nga personat që kanë rezultuar në përgjime. Mësohet se Dako është pyetur për rastet kur ai rezulton të kontaktojë me anëtarë të grupit Avdylaj dhe njohjen me ta.

Nuk ka detaje, sa i takon pretendimeve të kryebashkiakut, ndërsa Prokuroria e konsideron si pjesë të sekretit hetimor. Hetimi për këtë dosje ka nisur që në vitin 2016, ndërsa janë vënë në përgjim disa grupe që dyshohet se trafikonin lëndë narkotike, ndërkohë në përgjime kanë dalë edhe zyrtarë të lartë. Kujtojmë se në kuadër të hetimeve për këtë dosje u arrestuan dhe janë nën hetim dy ish-deputetë të Partisë Socialiste, Arben Çuko dhe Arben Ndoka.

Pas zhvillimit të operacionit “Vol-vo 4”, ku u arrestuan disa persona si pjesë e grupit të “Avdylajve”, vetë drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda bëri të ditur se nga përgjimet për këtë procedim penal kanë dalë edhe disa zyrtarë në administratë dhe hetimet po zhvilloheshin për korrupsion dhe vepra të tjera penale. Donika Prela nuk bëri të ditur detaje të tjera, ndërsa disa javë më vonë në media u publikuan disa përgjime të drejtuesit të Bashkisë Durrës, i cili kontakton me Altin Avdylajn, një prej të arrestuarve.

Nga komunikimet duket se kanë një marrëdhënie të afërt. Ndërkohë, në një nga bisedat e përgjuara diskutohet edhe dhënia e lekëve për vota. Dosja 339 shkaktoi një reagim të gjerë në opinionin publik, ndërsa pati akuza nga opozita se qeveria ishte duke ruajtur Dakon nga një arrestim i mundshëm duke bllokuar hetimet. Por nga ana tjetër, zyrtarisht, Prokuroria e Përgjithshme është shprehur se vonesat në hetimet për këtë dosje, kanë ardhur pasi ishin qindra CD përgjimesh të pazbardhura.

(Kosova Sot Online)