Bllokohen në kufi viça të sëmurë, u importuan nga Serbia për konsum

  • 19 May 2019 - 13:57
Bllokohen në kufi viça të sëmurë, u importuan nga Serbia për konsum

Konsumatorët, prej kohësh, ankohen për cilësinë e produkteve që importohen nga jashtë.

Kjo gjë ka detyruar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit të vihet në lëvizje për të kontrolluar cilësinë, e cila në shumë raste nuk përmbush standardet. Gjatë kontrolleve të fundit, AKU ka bllokuar me dhjetëra tonë produkte që konsumatorit nuk do t’i ofronin atë, për të cilën do të paguanin.

Në verifikimin e ngarkesave me mallra që hynte në territorin e vendit tonë nga Pika Kufitare e Hanit të Hotit në Shkodër, inspektorët e AKU kanë vërejtur dy raste në shkelje flagrante të plotësimit të standardeve ushqimore. Fillimisht, u bllokua një ngarkesë me viça që vinte nga Serbia.

Nga kontrolli rezultoi se kafshët e gjalla nuk janë kontrolluar dhe nuk janë marrë masat për prekjen nga sëmundja e dermatozës, siç përcaktohet dhe me ligj. Për këtë arsye, viçat do të mbahen në karantinë për tri javë. “Ngarkesa me kafshë të gjalla të ardhura nga Serbia (42 krerë viça për therje) në Pikën e Inspektimit Kufitar në Morinë u kontrollua për përputhshmërinë me kërkesat ligjore për masa mbrojtëse ndaj sëmundjes së Dermatozës Nodulare, siç përcaktohen ne Urdhrin Nr. 526, date 20.10.2016.

Referuar parashikimeve të këtij urdhri dhe në bashkëpunimi me shërbimin veterinar rajonal, AKU vendosi mbajtjen e këtyre kafshëve të gjalla në regjim karantinor (21 ditë) përpara se të futen në proces therje”, thuhet në njoftimin e AKU-së. Po në këtë pikë kufitare, AKU bllokoi dhe një sasi të madhe kripe.

Bëhet fjalë për 24 tonë që vinte nga Austria, por që paraqiste nivel më të ulët jodi nga seç kërkohet e për këtë arsye u vendos për moslejimin e kalimit të doganës, por kthimin mbrapsht në vendin e origjinës.

“Ngarkesa prej 24 tonësh kripë e ardhur nga Austria në Pikën e Inspektimit Kufitar Hani i Hotit për t’u përdorur për konsum human dhe industrinë ushqimore në Shqipëri u kontrollua për përputhshmërinë me kërkesat ligjore për parandalimin e çrregullimeve të shkaktuara nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut (Ligji nr. 9942, datë 26.06.2008, neni 6).

Gjatë kontrollit të dokumentacionit përkatës si dhe pas kontrollit fizik të ngarkesës ka rezultuar se certifikata e analizës dhe etiketa e produktit kripë, paraqesin nivelin e jodit më të ulët se kufiri i lejuar, sipas përcaktimeve ligjore (nivel jo më të ulët se 40 mg jod dhe jo më të lartë se 60 mg jod për kg kripë). Për këto arsye, AKU vendosi masën administrative ‘Bllokim produkti’ për sasinë prej 24 tonësh kripë dhe masën administrative ‘Kthim në vendin e origjinës’ së produktit.

Subjekti po kryen veprimet e duhura me degën e Doganës Shkodër për kthimin e produktit në vendin e origjinës”, bën të ditur AKU. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit vijon pa ndërprerje kontrollet për të siguruar zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të konsumatorëve, si dhe shprehet e vendosur për të mos toleruar asnjë shkelje të ligjit në dëm të jetës së konsumatorëve, ndërkohë që u bën thirrje qytetarëve të japin kontributin e tyre në sfidën për garantimin e sigurisë ushqimore në vend.

Ndërkohë, vetëm dy ditë më parë, AKU bllokoi në Pikën Kufitare të Morinës, 762 kg produkte ushqimore jashtë afatit të përdorimit. Bëhej fjalë për yndyrë gatimi, majonezë, ketchup dhe xhel karameli. Ngarkesa me këto produkte ishte nisur nga Kosova dhe pretendohej për rieksport në Shqipëri.

Sipas ekspertëve, produktet nuk përputheshin me dokumentacionin që shoqëronte këtë ngarkesë, konkretisht raportanalizat nuk u përkisnin këtyre produkteve.

Për këtë arsye, zyra rajonale e AKU-së në Kukës nuk lejoi futjen e këtyre produkteve në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe ngarkesa me produktet ushqimore jashtë afatit të përdorimit, u kthye në vendin e origjinës.

Ndërkohë, me ndryshimet në Kodin Penal, që do të miratohen së shpejti, masat ndëshkuese ndaj kujtdo që abuzon me sigurinë ushqimore, do të jenë tejet të ashpra dhe parashikojnë dënim me burg.

(Kosova Sot Online)