Gjenden trupat e dy foshnjave binjake gjatë pastrimit të lumit

  • 19 May 2019 - 14:17
Gjenden trupat e dy foshnjave binjake gjatë pastrimit të lumit

Autoritetet e Kenias kanë njoftuar se trupat e dy foshnjave, të cilat besohet se janë binjake, janë gjetur gjatë procesit të pastrimit të një lumi në kryeqytetin e këtij shteti, Nairobi. Kjo është hera e tetë që gjenden trupa të njerëzve vetëm këtë vit.

Zyrtarët besojnë se trupat e foshnjave po hidhen në lumenjtë e qytetit si rezultat i aborteve, të cilat në Kenia janë ilegale në shumicën e rasteve.

Guvernatori i Nairobit, Mike Sonko, ka bërë thirrje për nisje të hetimeve për atë që e cilësoi si dukuri shqetësuese.

Disa punëtorë ishin duke e pastruar lumin e ndotur të Nairobit, kur i zbuluan trupat e dy foshnjave.

Punëtorët i gjetën trupat e foshnjave në një qese plastike. Njëra prej tyre ishte ende duke marrë frymë, por mjekët nuk arritën ta shpëtonin.

Trupat e gjetur u varrosën afër vendit ku u gjetën pasi policia tha se prindërit e tyre nuk mund të identifikohen.

Guvernatori Sonko beson se spitalet dhe klinikat po i hedhin në mënyrë ilegale trupat e foshnjave në lumenj pasi po kryhen abortet në këto institucione. Ai tha se hetimet do të përfundojnë brenda një jave.

Përpos trupave të tetë foshnjave, katër të rritur janë gjetur gjatë pastrimit të lumenjve të këtij qyteti, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)