"E vodhën popullin, e tani plaçkën e shpenzojnë tek avokatët ndërkombëtarë për të mbrojtur veten!"

  • 20 May 2019 - 07:58

Ish eprori i lartë i UÇK-së, më vonë edhe në TMK, dhe dy mandate kryeshef i Agjencionit Kundër Korrupsionit në Kosovë, Hasan Preteni, skandalet e fundit që ndodhën në Kuvendin e Kosovës, i ka cilësuar si më të rëndat dhe të pa riparueshme për dëmet që i sjellin, por nuk jan befasi kur vijnë nga ata që vazhdimisht punuan për rrënimin dhe degradimin e shtetit të Kosovës.

Image
Hasan Preteni

“Kosova është viktimë e agjendave individuale të kapadaive që e kanë kapur shtetin qe tani e 20 vite. Nuk ka moral, nuk ka etikë dhe patriotizëm po ka vetëm interesa individuale e klanore. Nuk u interesuan as për shtetin, as për institucionet as për një vlere të interesit të përgjithshëm. E kishin vetëm një interes, vjedhje e gllabëritje deri në pafundësi. U pasuruan,u rehatuan familjaret e klanet. E bllokuan ardhmërinë, i bllokuan institucionet,i bllokuan të gjitha forcat progresive. Nuk kishin ata frikë as nga shteti në toke sepse i kontrollonin të gjitha e as frikë nga Zoti. Zotër ishin vetë këta”, tha Preteni për "Kosova Sot Online".

Sipas Pretenit, "të njëjtit e shkelën kontributin për çlirim, në vend të përkujdesjen për familjet e të pagjeturve, për invalidët, për familjet e dëshmorëve dhe për të gjithë ata qe sakrifikuan për shtete dhe liri. “Këta kapadait punuan që vetëm të zgjerojnë klientelën me biznes, me keqpërdorim, me rritje listash të veteranëve dhe duke i bërë të gjitha të zezat në dëm të të përgjithshmes e në interes të personales”, theksoi Preteni për Kosova Sot Online . Tani ai thotë se "disi ka filluar të ju dridhet toka nën këmbë, kanë hetuar apo po parandiejnë diçka dhe po sillen si elefantët në shitoren e xhamave, por kah të sillen diçka po thyejnë".

“Tani ju ka ra ndërmend për krimet e luftës, për ndërmarrjet publike, për listën e veteraneve, për dëmet që u krijuan para dy dekadave. Potezin e duhur në kohën e duhur. Në vend që menjëherë pas luftës të punojnë në krijimin e shtetit të mirëfilltë, të punojnë për interesin e përgjithshëm e pastaj të mendojnë për veti, këta e punuan te kundërtën”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot.

Të tillët sipas Pretenit shfrytëzojnë resurset humane e materiale vetëm për veti e pastaj kur të rrezikohen ato “ benefitet” e krijuara, i kthehen popullit. “E shfrytëzojnë tani për t`i mbrojtur krimet e tyre. Potezat e duhur ne kohen e duhur. Këtyre ju ka humbur kompasi, vodhën popullin e vet e tani plaçkën e shpenzojnë tek avokatët ndërkombëtare për të mbrojtur veten”, thekson Preteni për “Kosova Sot Online”.

Sidoqoftë ai është i sigurt që e keqja do të shkëputet prej së trashi, sepse siç e thotë, nuk ka hair prej haramit dhe fundin e kanë afër. “Theqafja e tyre është ne prag. Uroj që rinia të angazhohet në përshpejtimin e këtij procesi të pashmangshëm. Asnjë diktator nuk ka qëndruar kaq gjatë sa ketë diktatoret tanë. Sa më lartë që ngjitesh, rënia do të jetë më e fuqishme”, thotë Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )