Kthehet nga leja me 22 kapsula kokainë në stomak, çfarë e tradhtoi të dënuarin. U zbulua kur…

  • 20 May 2019 - 08:54
Kthehet nga leja me 22 kapsula kokainë në stomak, çfarë e tradhtoi të dënuarin. U zbulua kur…

Një i burgosur që po vuan dënimin me heqje lirie në burgun e Korçës është kapur në flagrancë, në tentativë për të futur drogë në ambientet e burgut.

Ngjarja ka ndodhur në burgun e Drenovës, ku B.L. u ndalua nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm. I dënuari kishte gjetur një mënyrë mjaft të komplikuar për të futur kokainë në burg. Ai kishte gëlltitur 22 kapsula në stomak. Zbulimi erdhi pasi Policia e burgjeve kishte marrë informacion për një fakt të tillë.

“Në kuadër të rritjes së kontrolleve e sigurisë në sistemin e burgjeve dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative nga ana e SHKBB-së, u konstatua se në datë 18.05.2019 në IEVP Korçë, i dënuari B.L, i sapokthyer nga leja shpërblyese, kishte transportuar 22 doza narkotike në qese plastike duke i gëlltitur. Pasi u krye ekografia u konstatua se në stomak ka edhe doza të tjera.

Veç masave të menjëhershme të ndërmarra nga autoritetet e burgut, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje dhe Policia e Shtetit po kryejnë veprimet procedurale dhe hetimore për veprën penale të ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal dhe ‘Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim’, parashikuar nga neni 324/a i Kodit Penal”, bëhet e ditur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. 

Përveç këtij rasti, u zbulua dhe një tentativë tjetër për të futur katër aparate celularë në burgun Peqinit. Ato ishin fshehur në pajisje elektroshtëpiake, që të burgosurve u lejohet të mbajnë në qeli. Celularët ishin fshehur në pjesë të brendshme të një frigoriferi.

“Në po këtë datë, në vijim të kontrolleve në sistemin penitenciar nga ana e Policisë së Burgjeve, në IEVP Peqin u krye kontroll në disa qeli në sektorin e sigurisë së lartë dhe u gjetën 4 aparate celularë të fshehura në pajisjet elektroshtëpiake të të dënuarve D.H. dhe E. H. Pas masave të menjëhershme të ndërmarra nga autoritetet e IEVP-së, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Burgje po kryen veprimet e para procedurale dhe hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin për veprën penale të ‘Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim'”, bëhet e ditur nga Policia e Burgut në Peqin.

(Kosova Sot Online)