‘Mirë është me e lënë këtë punë’, Veseli nën presion

  • 20 May 2019 - 11:42
‘Mirë është me e lënë këtë punë’, Veseli nën presion

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë sot se të enjten që shkoi i është kërkuar nga grupe parlamentare që të ndalet iniciativa për Themelimin e Tribunalit ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë.

Teksa ka shtuar se kjo nismë nuk do të ndalet asnjëherë.

Këto komente i pari i legjislativit, i bëri në seancën plenare që po vazhdon të mbahet sot. Për më tepër, ai tha se në këtë do të tregohet se kush është përgjegjës ose jo për themelimin e këtij Tribunali.

‘Shumë nga këto dëshmi i ka pasur në dispozicion, edhe UNMIK-u, edhe Tribunali i Hagës, të dorëzuara nga Kosova, para shpalljes së pavarësisë. Ditën e enjte më është kërkuar që ‘ndoshta mirë është me e lënë këtë punë’ nga grupime parlamentare. Kjo punë s’ka me u ndalë. Kosova ka pothuajse gjithçka dhe di pothuajse çdo gjë që ruhet në arkivat e shtetit serb. Brezat e kaluar dhe brezat e ardhshëm nuk do të na falin nëse ne lejojmë që detyra jonë kombëtare dhe historike të shembet përballë inateve partiake dhe interesave ditore. Çështjet ndër breza zgjidhen kur zgjidhen mosmarrëveshjet brenda brezit tonë’, u shpreh ai.

Ai ftoi për unitet politik për Tribulnalin Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë. Teksa mohoi që kjo nismë, të ketë ardhur si kundërpërgjigje ndaj Gjykatës Speciale, të votuar në Kuvendin e Kosovës.

‘Iniciativa për ngritjen e Tribunalit të gjenocidit serb në Kosovë nuk lidhet fare dhe asgjë me Gjykatën Speciale. Para së gjithash, për arsye shtetërore. Çdo veprim paralel, neutralizues ose mohues i Gjykatës Speciale në këto rrethana mund të dëmtojë edhe më shumë shtetin tonë, kombin tonë dhe vet UÇK-në. Gjykata speciale është themeluar nga ky Kuvend, ky është fakt i pakthyeshëm më. Ajo duhet të kryejë punën e vet paanshëm dhe profesionalisht ndërsa Tribunali Ndërkombëtar duhet të ndodhë, për faktin se i hap Evropës, rajonit, Kosovës dhe Serbisë një perspektivë të re dhe premtuese’, tha ai.

Ai tha se Kosova ka fakte e dokumente të shumta nga arkivat serbe se si janë tentuar të fshihen gjurmët e krimeve shtetërore të tyre, nga krerët politikë e ushtarakë të Serbisë.

(Kosova Sot Online)