Sulmuesit e maskuar vrasin 11 njerëz në një kafene të Brazilit

  • 20 May 2019 - 12:47
Sulmuesit e maskuar vrasin 11 njerëz në një kafene të Brazilit

Disa sulmues të maskuar i vranë 11 njerëz që ndodheshin në një kafene të qytetit verior Brazilian të Belemit. Vrasjet ndodhën në Guama, e cila është një lagje e varfër dhe e dhunshme e qytetit të rajonit të Amazonës.

Mediet lokale kanë raportuar se ky sulm ishte hakmarrje e një bande ndaj hyrjes së forcave federale të policisë në këtë qytet në muajin mars. Deri tash, policia nuk e ka arrestuar asnjë person për këto vrasje.

Policia ushtarake njoftoi se shtatë persona të armatosur shkuan në kafene me një veturë dhe tri motoçikleta dhe u futën brenda lokalit, duke vrarë 11 persona.

Dëshmitarët thanë se vrasësit e maskuar i qëlluan viktimat pa i zgjedhur dhe vranë pesë gra e gjashtë burra. Një person tjetër është plagosur dhe ndodhet nën mbrojtjen e policisë.

Është raportuar se në mesin e viktimave është edhe pronari i kafenesë, ndërsa shumë persona arritën të ikin nga sulmuesit përmes një daljeje tjetër.

Guama është një nga lagjet më të dhunshme të Belemit. Ajo ishte një nga shtatë lagjet që u “pushtuan” nga forcat federale në mars për t’i dhënë ndihmë policisë lokale në luftën kundër krimeve të shumta, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)