Përpjekjet për rrëzimin e Qeverisë, Nitaj: Iniciativë e kotë, e dëgjojmë qe 1 vit

  • 20 May 2019 - 13:33
Përpjekjet për rrëzimin e Qeverisë, Nitaj: Iniciativë e kotë, e dëgjojmë qe 1 vit

Partitë opozitare janë duke kërkuar bashkëpunim me njëra-tjetrën për të krijuar një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Haradinaj. LDK’ja dhe VV’ja duket se janë marrë vesh për ta çuar këtë mocion përpara, por këto parti po kërkojnë edhe përkrahjen e pjesës tjetër të opozitës, për t’i bërë votat për rrëzim të qeverisë. Ndërkaq gjithë këtë përpjekje të opozitës, pozita po e quan të kotë dhe të dalë boje

Deputetët e partive opozitare në Kuvendin e Kosovës, kanë filluar t’i bashkojnë forcat për rrëzimin e Qeverisë. Kryetari i LDK’së Isa Mustafa mëngjesin e sotëm ka paralajmëruar se do të takohet me të parin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, pët të bashkërenditur veprimet për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë.

Ai po ashtu ka thënë se do ta ftojë edhe kryetarin e PSD’së, Shpend Ahmetin, që të diskutojnë për t’u marrë vesh për veprime të përbashkëta.

E bashkëpartiaku i Mustafës, njëherësh Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së, Ismet Beqiri, tha të dielën për media se secili deputet, pa e ndarë gjininë dhe etninë, që e përkrah mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë e ka derën çelë.

Një deklaratë të tillë Beqiri e tha kur u pyet se a do t’i pranojnë votat e Listës Serbe për ta rrëzuar Qeverinë Haradinaj.

“Nuk po flas as për etni as për gjini të deputetëve, sekush që ka gatishmërinë me e përkrah mocionin, derën e ka të hapur. Pa nda etni, nëse një qeveri mund të formohet me votat e çdokujt që është deputet, atëherë pse duhet me qenë pengesë opsioni për rrëzimin e qeverisë nga kushdo qoftë”, ka thënë Beqiri.

Deputeti i VV’së, Rexhep Selimi, në një prononcim për media ka thënë se opozita nuk i ka votat për rrëzimin e Qeverisë, por ato do t’i kërkojnë edhe brenda koalicionit qeverisës.

“Subjektet politike opozitare vetvetiu i kanë të deponuara votat e tyre për me rrëzu qeverinë, duke qenë se nuk janë të mjaftueshme atëherë fokusi duhet të jetë te votat tjera brenda koalicionit eventualisht. Vetëvendosjes nuk i ka munguar gatishmëria asnjëherë e as votat për të shkuar drejt zgjedhjeve”, ka thënë Selimi.

Mirëpo, përpjekja e opozitës për ta çuar Qeverinë Haradinaj në shtëpi, po i duket e kotë deputetit të AAK’së, Muharrem Nitajt. .

Ai ka thënë për media se opozita po i kërkon votat edhe nga pozita, por fillimisht duhet të sigurohen se a i kanë të gjitha votat edhe në opozitë, pasi sipas tij nuk do duhej të ishin aq të sigurt për këtë.

“Ka më shume se një vit që e dëgjojmë këtë historinë se si opozita do ta rrezojë qeverinë dhe kësaj pune i ka dale edhe boja. Kemi dëgjuar lloj lloj margaritarësh se si do ta kryejnë këtë operacion. Po kërkojnë  vota edhe nga pozita, veç kurrë nuk e kanë kuptuar nëse mund të llogarisin, qoftë edhe në të gjitha votat, që formalisht janë në taborin e tyre. Unë nuk do te isha aq i sigurt”, ka thënë Nitaj.

Nitaj shton se opozita duket të jetë në krizë për veprime, e gjithë përpjekjen për rrëzim të Qeverisë e quan si formë të mbajtjes së elektoratit nga ana e tyre.

“Populli thotë se fjalët e tepërta janë fukarallëk. Ata qe e kane fuqinë e numrat, nuk flasin hiç por veprojnë! Por, duket se janë në krizë për ide e veprime, prandaj dhe po provojnë ta mbajnë elektoratin e vet me këtë historinë e rrëzimit të qeverisë”, thotë Nitaj.

Ai po ashtu ka përmendur edhe sfidat e Qeverisë, duke thënë se kanë qenë të mëdha e të rënda.

“Veç përballja me Serbinë dhe aleatet e saj, në këtë fazë, ka qenë një detyrë e vështirë, që ka kërkuar edhe mençuri edhe guxim, diçka që duket të mos ketë qenë e mjaftueshme në qeverisjet e shkuara. Dhe ketë e di edhe opozita, por ia ka qejfi të mos e pranojë, sepse në këtë vend, suksesin nuk ta bëjnë hallall”, ka thënë Nitaj.

Për rrëzimin e Qeverisë duhet të sigurohen të paktën 61 vota, e partitë opozitare deri më tani kanë qenë kundër opsionit të rrëzimit të Qeverisë me votat e Listës Serbe, por kjo tashmë nuk po përjashtohet nga LDK’ja e Isa Mustafës.

Aktualisht, as Qeveria s’e ka shumicën në Kuvendin e Kosovës pasi Lista Serbe është larguar nga koalicioni. Mirëpo, Ekzekutivi po funksionon me 12 votat e partisë së Shpend Ahmetit, i cili i ka përkrahur buxhetin e dialogun.

(Kosova Sot Online)