Demokratët i bëjnë presion Pelosit për shkarkimin e Trumpit

  • 21 May 2019 - 09:42
Demokratët i bëjnë presion Pelosit për shkarkimin e Trumpit

Disa anëtarë demokratë të Kongresit amerikan kanë kërkuar nga kryetarja e tyre në Senat, Nancy Pelosi, që të fillojë procedurat për shkarkimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Pas disa takimeve me lidershipin demokrat në zyrën e Pelosit, ata kërkuan që të fillojnë sa më shpejt procedurat e shkarkimit për shkak se ish-këshilltari i Trumpit, Don McGhan, refuzoi që të jepte dëshminë e tij para kongresit. McGhan tha të hënën se ai nuk do të shkojë të dëshmojë kundër Trumpit, gjë që ka ngjallur dyshime te demokratët.

“Ishte një debat i madh, i gjatë dhe shumë emocional”, thuhet nga një burim i demokratëve, për bisedën në zyrën e Pelosit, raporton NBC News.

Debati thuhet se të ketë qenë përçarës, për shkak se disa e konsideronin jo të arsyeshme që presidenti të shkarkohet për shkak të mungesës së provave, ndërsa të tjerët e konsiderojnë të nevojshme.

Ky debat, thuhet se i ka shpalosur të gjitha përçarjet brenda Partisë Demokratike.

“Ne gjithmonë kemi thënë që një gjë na dërgon tek tjetra” kishte thënë Pelosi, e cila kërkonte më shumë prova për fillimin e një procedure të tillë. Sipas dëshmitarëve të NBC News, ajo thoshte se shkarkimi duhet të vijë si pasojë e disa veprimeve të një pas njëshme, e jo pa ndonjë arsyetim të fuqishëm.

Shumë demokratë mbetën të nervozuar nga fakti se partia e tyre nuk po i merr hapat e shkarkimit, që sipas tyre janë “të duhura” për SHBA-në.

“Nëse McGhan nuk dëshiron që të dëshmojë, është koha që të hapim procedurat e shkarkimit” thuhet të ketë thënë një demokrat i pranishëm në debat.

Procedura e shkarkimit, e njohur ndryshe si “Impeachment”, është procedurë e cila përdoret për shkarkimin e presidentëve. Kësaj procedure i ishte nënshtruar edhe ish-presidenti Bill Clinton, por republikanët nuk kishin vota mjaftueshëm për ta shkarkuar atë. 

(Kosova Sot Online)