Shkrimi që bëri bujë dje në rrjete sociale: Si ma vranë djalin dy vjeçar

  • 21 May 2019 - 11:46
Shkrimi që bëri bujë dje në rrjete sociale: Si ma vranë djalin dy vjeçar

Kthimi i gabuar nga Zvicra

Ky rrëfim është nxjerrë nga libri “Unë dua të dëgjohem: Libër kujtimi me rrëfimet e grave të mbijetuara të torturës gjatë luftës së fundit në Kosovë”

TEUTA kurrë nuk e kishte menduar se një ditë do ta përjetonte atë që po e shihte në televizor në mesin e viteve të 90-ta.

Me gruan e shefit tek i cili punonte, ajo po shihte rrëfime për luftën në Bosnjë që po ndodhte asokohe. Teuta atëherë jetonte në Zvicër.

Pak vite më pas, burri do të vendoste që të kthehet në Kosovë për t`iu bashkuar UÇK-së. Teuta e ndjek vullnetin e burrit.

Por, kthimi për shtatzënën do të ishte edhe vendimi më i gabuar i jetës së saj. Ajo do të përjetonte ato që njihen si dy ofensivat e ushtrisë serbe nëpër fshatrat e Kosovës.

Do t`i duhej të jetojë në mal të hapur, të përjetonte krismat, plagosjen nga një granatë, dhunën seksuale dhe sërish torturën e dëbimit nga shtëpia, derisa gjatë gjithë kohës nuk ka qenë e vetme. Të pesë fëmijët e vegjël e kanë përcjellë këtë nënë në ato që do të mund të vlerësoheshin si muajt e përballjes me të pa njerëzishmen.

Ajo ka pësuar në këmbë dhe në gji nga dy copa të një granate që është hedhur në mes të kolonës së civilëve, të cilët po ecnin nën kërcënimin se kush ndal hapin do të vritej.

Pak më vonë do të shihte tmerrin nga ata që, ajo i quan ushtarë të Sheshelit, të cilët do ta plaçkitnin. Të tjerët që ajo i quan të Arkanit do t`i prisnin kokën një foshnjeje me qëllim që t`i tmerronin gratë që po iknin.

“I dinim të kujt janë sepse thërrisnin: rroftë Shesheli ose rroftë Arkani. Këta të Arkanit kanë qenë me maska, ata Sheshelit me mantela të gjatë”, tregon Teuta…

Ajo, bashkë me 50 gra është dhunuar seksualisht pak javë para përfundimit të luftës, në një duzinë ku janë mbajtur për disa orë.

Rrëfimi në vetën e parë: Isha e plagosur, por nuk më kursyen

Teuta

Jam një nanë e pesë fëmive, e kam edhe bashkëshortin. Kemi qenë shumë motra e vllazni.

Kam kujtime t’mira, kam shumë… Kemi mrri, i kemi shkollu t’gjitha motrat, e kemi kry shkollën. Momentet ma t’mira kanë qenë për Bajram. Kur vike Bajrami i rrokshim defat, knojshum, dilshim nëpër shpija, u veshshin nuset. Shumë kënaqësi.

E kom pas fejesën, për 6 mujë jom martu. Kena bo darsëm, po me tre mujë m’ka ra me shku n’Gjermani. Edhe atje kom shku kom jetu me burrin. Atje kom qenë, kom punu bashkë me bashkëshortin. Kena nejt pesë vjet në Zvicërr. Kam qenë shatatzanë kur jam kthy n’Kosovë. Atje kom punu, i kam kqyrë pesë çika t’shefit, burri ka punu.

Jemi kthy me ni pushim, u kon ai vit, jom konë shtatzanë… Po du me lidhë kur kemi qenë ‘92-tën, ‘93-tën, atje ka qenë lufta n’Bosnjë, e po du me lidhë qetash te Bosnja. Atje kur ka qenë lufta, kur e kom kqyrë unë me grunë e shefit, e kqyrëm televizorin u çojsha prej veni se krejt trupi mu rrënqethke, kajke gruja e shefit, edhe unë shumë kom kajtë kur e pajsha luftën n’Bosnje çka po ndodhë, çka po bohet. E nuk e kom paramendu me përjetu unë vetë luftën n’Kosovë.

As se kom mendu kurrë po nuk kom mujtë as n’televizor me shiku atje n’Zvicërr t’u kajtë, e t’u u largu me grunë e shefit prej shpisë, t’u dalë me fmi t’u i shëtitë se s’guxojsha me kqyrë televizorin. Edhe jemi çu kemi ardhë n’gusht nji pushim, aty s’na ka tregu kërkush se çka osht’ t’u ndodhë n’Kosovë, aty kur ka ardhë koha pe shoh që burri n’mbramje po vanohet. Unë isha shtatzanë, i kisha edhe dy fmi, çikën edhe djalin. U vanojke çka o tu bo… at’here ka qenë edhe gazeta “Rilindja”, se gjithë na kena msu edhe kem pas qef shumë me lexu. Kur e kom pa “Rilindjen” vetëm e kish shkru n’fillim t’gazetës që vetëm sa s’ka kërsitë lufta n’Kosovë, u kon n’97-tën. Edhe aty m’ka hi nifarë frike. E pajsha që natën po bojnë lëvizje. Burri ish veshë me uniformën e UÇK-së.

I thash, unë du me i marrë fmitë edhe du me ec, edhe vjehrri m’ka thonë merri fminë edhe shko. Burri ka thonë jo, për atdhe le t’vdesim te tonë!

Unë linda… Kom lindë me ni qiri se s’ka pasë as mjek. Nuk kishe çka me pa prej forcave serbe. Qat’here ndodhi një masakër. Qaty ku ka fillu lufta për mu, ka qenë qai momenti kur kom lindë unë edhe tri javë i kom pasë që kom nejt n’shpi. Tri javë me qat fminë e vogël e me bebën edhe tani burri nuk kom ditë kah u shku mo se ushtria nuk e ka leju as n’shpi me ardhë.

Mandej kemi lëvizë prej një katuni në katunin tjetër. Tu u enë… Nata ka qenë e jona, dita ka qenë e shkive. Se ata natën, kur bijshin n’punkta t’vetë mo nuk guxojshin me bo lëvizje, vetëm ditën. Dita u konë e tyne… Ka ra shi shumë, ka ra breshën. Bukë nuk kishëm… Traktori mo s’kish naftë, traktori mo met’. Me tesha, me kotesha krejt qaty na kanë metë. Vetëm nisëm me ec. Krejt gra e fëmijë jemi konë. Kemi fillu n’kamë, kemi ardhë, jena mshef n’nji ahër edhe aty kur na kanë pa neve t’ushtrisë në fshat na kanë percjellë gjendjen krejt kah, ku po shkojna na, kah po himë, ku po dalim. E kanë pa që kambësoria po lshohen nëpër shpija me hi. Edhe kta kanë pritë deri u lshu terri, po si u lshu terri n’tokë kanë thonë ata që mo na nëpër terr nuk guxojna me dalë me i marrë. Na jena mbyllë me ni dhomë, me ni ahër edhe aty kemi dalë jashtë me marr ni kofe me ujë prej bunarit edhe i kena ni kamtë tu ec nëpër rrugë trap tap tap {imiton zhurmën}. Edhe na kemi fillu me kajtë, erdhëm, se ku e kanë nxonë pakicën e kanë bo masakër. Aty ia kem fillu me kajtë e me bërtitë çikat e reja, po për fat kishte qenë ushtria jonë. Kishin ardhë me na nxjerrë. Me na ndihmu. Neve na kanë nxjerrë atë natë, menxi kemi dalë. Kemi bujtë me ni katun tjetër. N’mëngjes, n’mëngjes, na kanë pru ushtartë grurë t’zimë me hangër, fmija s’kishin as çka hajnë…

Edhe ja kanë nisë fmija me hangër grurë, po nuk e hankshin pa sheqer. Ushtria e kishin zi se s’kanë pas miell, edhe ja kanë fillu po thojnë “ni traktor pe kqyrim t’mujshim diqysh me marrë edhe me ju qitë.” Na ishim kogja kallabllak. Me dy traktora. Edhe jena nisë. N`gjysë t’rrugës na nuk kemi ditë mo kurgjo hiç, na kanë ardhë automatat mi kry tu gjue. Na knej n’traktor, na sen s’kena ditë veç kur e ka rrokë gumën e traktorit, u shpërthy guma, e kena ditë se janë tu gjujtë shkitë. Aty i kanë nalë traktorat, shoferat kanë ikë. I kem shti fminë n’mal edhe jon ikë ushtria jonë qysh jon konë krejt jon largu, jon tërhekë, se shkiet ishin kanë tu ardhë me tenka.

Aty kemi nejtë tri ditë e tri netë n’mal, se mo fmive u dufke me ua mshel gojën se krejt terrenin e kqyrshin me automata e me gulinova. Tani hishin kambësoria, gjithë ata tu gjue, e tu gjue, e tu gjue, deri ra terri n’tokë, ata e kanë pastru terrenin. Ia kanë fillu me ardhë tenkat, kur ia kanë fillu tenkat me ardhë, toka u dridhke. Kambësoria u hypë nëpër tenka edhe kanë fillu me shku n`katun. Tani mo me rrokë, me rrokë kah e kishin n’plan ofensivën, edhe na e kalum atë natë, shkumë dy netë, në t’tretën…

I kena marrë fminë aty zhag, jemi shku me ni shpi me ni katun tjetër. Aty ju kena dhonë me hongër, ju kena dhonë me pi qysh e kishin lon gjinja bukën gatshëm. Kish pasë pasul, bukë t’nxehta që jonë ikë kur i kanë ni automatat. Kena hongër bukë, n’mëngjes, n’pesë n’sabah ja kena fillu me ec. Për ofensivën e parë jom tu tregu, edhe aty kanë fillu na kanë qu me ni traktor. Qysh jena hi na kanë qu te familja jem. Po kish pasë refugjatë shumë anej tu nejtë. E jena vendosë, e kanë kry ofenzivën knej, knej nuk kthehen. Po kjo ish konë politikë e tyne, edhe ofenziva e parë mo qajo u konë na kanë kallë shpinë, na kanë shkatërru me çka ka, edhe mo ia ka fillu n’shtator ofenziva të njëjta.

Qat’herë ka fillu lufta e ashpër që ka bo mo, qat’here kur u bo marrëveshja, nënshkrimi për me sulmu NATO. Tash nuk e di, na kemi qenë n’ahër edhe mo s’kemi pasë kohë as fminë me i kapë. Merre me men nuk u dijke as kah po vjen plumbi, nuk dishe as kah po t’vjen.

Atë ditë që fillunë, n’mars, na kanë tubu mo at’herë neve na kanë tubu krejtve, s’na kanë lonë vend kërkun hiç as nëpër male mo s’na kanë lonë vend. Na kanë tubu neve krejt nëpër fshatna edhe jena shku n’shkollë të nji katuni. Mo me fmi, me granim, me krejt qaty kena nejtë tri ditë.

Jem dalë nëpër shpija kemi lypë miell. I kena qitë njo tri bukë me i pjekë, po diqysh ma shumë si lloq si thojnë, si t’langt bukën që s’mujshim kërkun me pjekë. Veç me shku me i qitë dikun si petë me i pjekë mi shporet, për me hongër fmija, me ia mushë shpirtin fmisë. Çikën e kisha n’gji. Gji nuk kisha, çika m’kajke… untë. S’kisha e ngrata me fmi tu kajtë, edhe kur erdhën krejt, qata bukë që e kena pjekë edhe ata na kanë marrë, na kanë gju shkelma jashtë shkollës.

Kur ka ardhë tash Shesheli, ka ardhë edhe Arkani. T’parët kanë qenë t’Sheshelit. Na e dijshim cilët janë se ata thojshin, “Rrnoftë Shesheli”, e britshin e piskitshin. Ata që thojshin “Rrnoftë Shesheli” kanë qenë me mantilla t’gatë. Ata kanë lypë dukat, unë e kom pas dukatin se burri m’ka thonë “Mos e le duakin n’shpi, le t’qëllon për çdo rast”, sikur te dijke.

Kur kanë ardhë t’Arkanit, ata ishin konë krejt t’qart. Ata ishin konë krejt me maska, ishin konë krejt qela, me shamia n’kry.

I kishin pasë krejt aletet e masakrës. Na e kanë marr nji djalë dy vjeç edhe e rroki me thikë njani prej tyne. ”E kam dorën e lehtë, e kom dorën e lehtë, mos u tutni” bërtitke. Fëmija kajshin e britshin.

Çikën e kisha t’smutë, t’voglën, gji s’kisha me i dhonë, me hangër s’kisha edhe e kom ditë që m’ka vdekë çika. At’herë kanë hi n’mesin e grave, n’mesin e çikave edhe tu ju hi shkelma. Do i shtishin nëpër shpija me kqyrë a ka UÇK, i kapshin i ngrehshin zhag. Aty na kanë da 20 veta, krejt zhag na kanë ngrehë shkelma, tu na sjellë brijve. Na kanë çu mas shkollës. Edhe aty na kanë deshë, na i kanë marrë teshat, na i kanë tubu me na kallë.

E na murrën i ndajtën çikat, besa ka pasë edhe grue që i ka pasë 65 vjet, ka pasë edhe gra shtatëzana e na kanë çu mas shkolle. Aty kur na kanë çu mas shkolle, na kanë deshë, na kanë mshtetë krejt për zidi cullak, flakën na kanë qitë edhe aty mo vjehrra jem ka folë, e kjo çika ka kajtë shumë e ka bërtitë. E ka shku kah bari e iu ka lutë që lshona ren’. Po kish do që ishin t’mirë, do kish që ishin t’kqijë. Tani i ka thonë, “Cila osht’ reja jote?”, ma ka bo vjehrra, “Hajde“… Kanë nga tri shoqe para meje, ato: “Unë jam, unë jam” vjehrra ka thonë “s’janë ato”. Thotë, ” Po, pse?” thot, “Jo s’janë ato”, thotë “ato s’janë”. ”Une e kom vjehërr”, e atyne ju ka ra kondakt n’guj edhe i kanë lonë n’dy gujë tri femna. Unë i kom marrë teshat e ni gruje, veç sa jom mshtjellë me dalë te vjehrra. Tani do gra mi kanë dhonë do tesha, tani krejt ju kem bashkangjitë kolonës. Edhe kom mendu që po pshtoj, menja jem pshtova, thojsha.

Ato gratë që kanë mbetë aty mas shkolle kurrë s’jonë gjindë as… s’e dijmë as vorrin ku e kanë, kurrë. Jena bashkangjitë kolonës, jena ungjë krejt, kryt n’dhe. Mo s’kena pasë, as me ni diçka, sa mujshin gjujshin. Aty kena nejtë deri vonë, jonë ardhë kolonat, jonë bashkangjitë shkitë, kanë fillu me knu. Me mjekrra deri kha, kishin marrë kingja, kishin marrë dele, krejt i kishin mushë ato pragat e tyne e tu knu serbisht e tu fishkllu. Shumë sene që kanë marrë, sene që i kanë vjerrë nëpër tenka, dukatin e krejt t’vjerrun nëpër tenka. Edhe na krytë te poshtë, tenkat kanë pri përpara na kemi qenë mas tenkave…

Mas tyne, edhe nonstop tu na ra me ksi kondakt t’automatave, brive e ksajde s’mujshim mo. Fminë e kisha, çikën e kisha n’dorë. Dy fminë, njonin e merrke kunata, njonin vetë për dore që mos t’ëm largohet prej kolone. Me vjehërr me kunata, me motër t’burrit e krejt, e kemi fillu kolonën. Kur jemi ardhë në një fshat na i kanë marrë krejt pleqt. I kanë vra para syve tonë 13 pleq. Kqyrni thojke, “Cili osht’ baba juj?” I kapshin t’ngratit ata pa u bo sen, e ulshin kryt, automat n`kry. Kuku çka kena pa na, aty tani kanë fillu gratë çka i kishin n’kolica nanat e paralizume, i detyrojshin me i shti n’mal, e ata hishin e i vrajshin n’mal. Edhe i lejshin n’mal nanat që kanë qenë t’paralizume ose i çojshin me kolica…

Kemi fillu, kemi ecë, edhe na ka ra granata midis kolone. Aty ka pasë gra pa kry, aty ka pas gra pa kamë, pa dorë. Po unë, kur e kom vrejtë veten që m’ka përfshi edhe mu copa e granatës, çikën ma ka përfshi pak n’ftyre, mu m’ka rrokë n’gji edhe n’kamë.

Veç tu ecë e kom vrejtë çikën thashë, “Nanë, çikën ma paska rrokë copa e granatës” edhe aty kush ishin me gjak, kush ishin veç i skajojshin prej kolone edhe i vrajshin. Ma ka bo vjehrra, “Ec, as mos u kthe me kqyrë çikën diqysh, se marove edhe ti me fmi”. Kah me ecë, kah me ecë po m’shkojke gjak kamës. M’shkojke gjak kamës “Oj nanë veç po dridhna, s’po muj mo me ecë, maje çikën”. Gratë m’kanë dhonë do pelena me mlu çikën, ma kanë lidhë kamën gratë deri jem shku n’qytet… rrugës vjehrra ma ka bo, “A din… çika ka vdekë!”… “Çka me bo oj nanë, ku me lonë?” i thashë. Vetë isha e plagost, e kisha varrën. Po hala jon konë do që jon konë ushtarë, do policë që jonë konë, ushtri e rregulltë, ka pasë, po ata që ishin me maska, ata has vrajshin. E kom marrë çikën e kom lshue te një mulli, atë mulli s’du me pa kurrë. Edhe kur e kom lshu, ma ka bo ni shka, “Mos e le se e han naj qen”. Ushtar me uniformë ka qenë, ushtar ka qenë edhe ma ka bo, “Mos e le”, lehke si qen vetë, “merre” ma bojke serbisht “merre”. E kena marrë çikën. Edhe kur jena afru ngat qytetit na kanë gjujtë me nifar ledine, edhe aty kanë fillu na kanë nda edhe na kanë shti me ni kooperativë. Aty na kanë shti 130 veta, tash na nuk kena guxu me dal me kqyrë kah po i qojnë tjerat, edhe jemi hi na, jem vendos në kooperativë. Kur jemi hi atje kem nejtë. Edhe aty vjehrra na ka shtru ni palltë e ka pasë, e majke se ftoftë u konë koha. Kanë ardhë gratë, qysh me ia bo, me gërshonë ma kanë hekë ket pjesën e mishit që mos me u infektu. Ma kanë pre gratë, ma kanë lidhë kamën mi kanë qitë mill që me u nalë gjaku, pak u qetsu. E për gjinin, gjinin nuk mujsha me nalë kurrqysh, çikën e kisha n’gji, kur çika lypke me thithë. Ia nisën me m’rrokë temperaturë, ia nisën me m’rrokë ethe…

Ia nisa edhe pak çikës me i dhonë tamël që ma prunën do gra me ia lagë buzët. Çika veç filloj me i çelë sytë, çika gjallë ish konë. Edhe mo çika filloi me u përmirsu, aty kemi nejtë njo tri netë, po jom konë shumë smutë. Veç ni doktor e falenderoj shumë.

Ata mo u vendosën aty para koperativës krejt shkitë, edhe kanë nxanë rini shumë. Aty kcejshin prej toke n’cull t’barkut para neve tu na i rrehë djemtë. Krejt shkojke gjaku teposhtë, u cillke, u rroke për zidi. Cili e rroke me kondakt, a e hangshin, e jepshin orën, a dukatin djemtë e ri. Hiç s’vijke n’shprehje, prej toke shkelma që kcejshin e i shtishin n’kamiona. Na aty ia nisum po kajmë, po piskasum, po bërtasum. Na u afru ni shka, e rrehi ni plak. E rrehi edhe ni çikë. Ajo u kanë e re, veç që i ka pasë floktë e shkurtune mushki edhe tha “UÇK a?” Na e ka rrehë ato nërsy krejtve. Edhe na kanë bërtitë, “Pse po bërtitni?” edhe na kanë shti apet mrena.

Kur na kanë shti neve aty mrena, edhe thashë, zahere pi marrin djemtë e ri, krejt i mushën kamionat. Edhe na thamë, po largohen, po i marrin e po largohen. Kur jena hi mrena edhe hinën dy vetë, ishin pak ma te ulët, thojshin, “Lshoni fëminë edhe perjashta!” Përjashta krejt fëmia jonë dalë edhe s’i lamë me i vra fëminë, na asnjo nuk pranojshum. Hiç s’dojsha me pranu, dy fëminë i kom lidhë qishtu edhe thojsha le t’ëm vrajnë me fëmi se s’largona kurrë. Evladi ish shpirti i shpirtit.

Aty tani ia kena fillu me kajtë, tha, “Burrat ia u kena vra. Ia u kena kallë shpijat. Çka pritni ju ma? Pse s’jeni shku në Shipni? Albania… pse s’shkojshi?” thojke. “O na i ke vra me burrë e me krejt, une mo as fëmitë s’i lshoj. Me fëmitë vramë”. E ka hekë automatin, edhe kur e kom pa fëmitë që kanë fillu me dalë, do t’grave që i kanë lëshu fëminë. Unë fëminë s’i kom lshu, o siç um ka rrokë shuplakë, me veshin vonë kom pasë problem me vesh.

Aty i kanë marrë fëminë, mu m’kanë rrehë edhe kanë fillu me na nda… 130 veta jena kanë, 50 veta na kanë nda në qat ven që kemi qenë. Fminë i murrën, i qitën jashtë. Kanë marrë gra, ma s’kena pasë… Na krejt u tranum krejt t`u bërtitë që ma kurrë ai za s’um heket prej veshit (qan). Edhe aty tu bërtitë e tu piskitë ia kanë fillu, na si kena ndigju që janë kanë ushtarë e jonë kanë me asi të masakrës, jonë konë me alete, thika shtrafcigera, s’di qysh me thanë, jonë kanë me maska.

Me mjetet që i kanë pasë, edhe tash kur u hi ai i madhi me maska e di që ni dhamë të dukatit e ka pasë në gojë. Kur ka bërtitë, “Për ni minutë krejt mu deshë, krejt! Ktu afat s’ka! Veç ni minut keni mu deshë krejt”.

Na jena kanë 50 veta, prej 130-ve që jena kanë, 50 veta na kanë nda qaty, na kanë marrë. O brima që u shkue, piskama që u shkue, as s’dishum cilën me ngushllu, cilën me afru s’guxojshum tu sjellë, tu i rrehë. Tu na deshë me zor, me thikë bre jelektë që mi kanë pre qitu, ma bike thikën (qan). Une jom kanë e plagostë, po nuk më kanë kursy. Jom kanë e plagostë në kamë e në gji. S’u ardhë në shprehi hiç, veç gjaku që m’shkojke për gjini knej. Veç e di kur m’ka ardhë vetëdija, e di, dy vetë i kom pasë përmi. Njani m’ka majtë, tjetri e ka bo punën e vet. Krejt jena kanë të qarta të prishta. Ata mo qysh e bojshin qefin e vetë, qysh dijshin aty mo s’ki pasë shancë, dy orë, tri, as s’i kanë çelë as dyrtë. Edhe jashtë kanë qenë me fëmi, e me gra, e me krejt. E kanë ni brimën, e kanë ni piskamën. Krejt aty jena kone, gjynah, a din, sebep mas sebepi jemi njoh krejt. Ma as s’kom ditë as ku jom. S’kom pasë as vetëdije, vetëm vjehrrën e maj n’men pak që ma ka gju ni qebe kur o’ hi. Tani i kanë marrë me veti, s’e di sa i kanë marrë me veti, veç pak, 30 veta jena met’. 20 veta prej atyhit i kanë hekë. E ma, u ardhë vjehrra me na mbulu, e kan hi krejt. Çika e madhe e mban men thotë, “O mam qysh britshit e piskitshit, s’du mo me pa, as televizorin”. Pesë vjeç u kanë.

Edhe aty kanë fillue gratë me ujë te nxehtë me na la. At’here as ujë s’kishum, s’kishe ku me marrë as ujë. Kemi nejtë aty edhe ni javë ditë, rrafsh ni javë ditë, po ata qasjade jonë konë. Edhe tjerët që jonë shku, po qaty kemi nejtë, nonstop n’kontroll të tyne jena konë.

Kanë ardhë prapë t’nesrit. T’nesrit kanë ardhë tjetra parti. Unë kom hypë në tavan me ni çikë, kom pshtu n’tavan, edhe mo s’jom dalë poshtë hiç. Deri kur u kry.

Kanë ardhë gratë, kanë ardhë kush ka pasë mundësi, kush ka pshtu do sene, kush ka pas sene nëpër shpija, na kan mlu. Kush ka pas do tesha, u munojshin me na bo nifar ushqimi me hangër, po hiç s’ka pas shancë, tani na kanë pru mjekët menxi, varrat me i ly pak.

Po aty në atë koperativën kena nejtë edhe ni javë edhe masi ka përfundu edhe ma s’kena pasë ku me shku na, nuk e dishum a na kanë pshtu djemtë, a u vra kush! Kemi dalë në ledinë, kajshin gratë, tana sot me i pa trupi me rrëqethet, edhe kemi dalë në ledinë jemi ungjë, kemi kajtë gjitha gratë që na kanë ndodhë. Po sa kena nejtë në atë javë, gjashtë fëmi i kemi varrosë, se s’kanë pasë çka me hangër, s’ka pasë çka me pi. Vorrin e marojshim mi at koperativën veç sa mi shti në dhe, se s’ke pasë ku mi shti. Tani dilshum i kajshum vorret edhe kur pi shoh vllaun e burrin që po vijnë. Khu Zot, qysh mi dalë përpara, kta kishin ni çka ka ndodhë krejt po s’ja dhojshin vetit që pe dinë! Erdh vllau, erdhën tani kta djemtë e mixhallarve që jon kanë të vesht me tesha të ushtrisë, tani burri. Tani tha nana, “Hiç mos bo zo, le te dinë tonë qe je e rrehtë”, se edhe kto kanë me thanë “që jemi të rrehta”. Edhe qashtu vendosum, që jena të rrehta, po thashë si sot si nesër me ni, ma mire le te din çka osht’, le të osht’ me kohë, le t’vendosë sa t’jom qitu. Aty kom qenë kur nuk e kom njoftë kush osht’ a o’ burri jem a s’osht… Edhe tash burri kur afrohet ngat kqyr, çka me pa, nuk isha veç une po ishum shumë gra tjera. Krejt secilën te kqyrësh, shumë pleh, si të smuta, të qarta, edhe u afru ngat, dola i kapa përqafe vllaun e burrin e krejt ata çka kanë pshtu prej lufte. Tha burri: “A pshtutë?” thashë, “Pshtumë”. M’ka kapë edhe njëherë përqafe edhe m’tha, “Ku jonë fmija?”. Të tubumë krejt qaty ia nisën do fjalë, e kom marrë burrin e kom largu, edhe i kom thanë qishtu-qishtu na ka ndodhë, “Ndaç prano, ndaç mos prano”, thashë “qishtu, jo veç mu po krejtve qishtu na kanë nda”. Tha që e din, “edhe ti ke me kanë gruja jem qysh je kanë gjithë, gjithë ki me kanë”. Edhe gjithë burri m’ka përkrahë. Tani kanë ardhë KFOR-i, si i kom pa, m’ka hupë vedija… Thojsha “Prapë ja nisi lufta”, ka pas problem burri, vjehrra se ma nuk mujsha me deshtë kërkanin. Nuk mujsha ma hiç, hiç mu adaptu se jeta jem u shkatrru, se jeta jeme s’osht’ si perpara qysh ka qenë si para lufte, si mas lufte. Gjithqysh, ka pasë kohë që bijsha me flejtë, nuk mujsha me flejtë, u çojsha n’kamë, hinën, erdhën, shkunë, u çojsha, britsha piskitsha në gjumë.

Ama kta krejt e dijnë që jom kanë shumë e rrehtë. Edhe baba ka qenë në dijeni, shumë ma, aty u munojshum nifar jete po nuk kishum vullnet. I kisha fmitë, vjehrri ma ka hekë kanopin prej fyti, jom shku vetën me furë në garazhdë, vjehrri ma ka hekë kanopin “Çka je tu bo bre bijë?! Çka ki bre bijë?!”, psiqikisht unë kom pas lu pej menve…

Mas lufte shumë kom hekë, tri vjet jom kanë psiqikisht e lujtne. Kurrë s’kom guxu me nejtë pa kokrra, ksi qetsuse…

Prej 2008-ës ju falënderona kësaj shoqate ku po flasim. Zaher jam kanë e mbylltë, tash ma mirë. Unë e kom rrëfy luftën për herë të parë në kët vit. Ka pas aty… s’jonë kanë veç dy-tre vetë, po kemi qenë shumë që ia kom rrëfy luftën se s’ka mujtë me m`nalë kërkush, me më nalë tu folë. Çka kom folë, po unë kom folë, kam fol për përjetimet e luftës. Se kom dit se edhe më vonë do të flas… tash e po vij, po dal pak. Kur kom shku për herë të parë, aty kom edhe burri m’ka thonë, “Shko” se burrin e kom pasë n’punë. “Shko, osht’ diçka, pse mos me shku? Jonë shku gratë”. Po shumë kemi qenë, dy komba kemi shku, gra, burra, krejt jemi shku me shprehë luftën çka kena përjetue.

I kom vrejtë ndryshimet masi kam folë. Se pak m’u dukshin njerëzit ma t’gjallë, ma m’pritshin ma mirë. M’u duke kanihere vetja që sen nuk po nij çka m’ka ndodhë. Qe dy vjet e knej, mirë jam me burrin, qe dy vjet. Pe nij që jam me burrin pak e afrume se nuk kom deshtë… Ai e ka kuptu gjithë. Osht’ ni person shumë i kuptushëm, osht’ ni person shumë i qetë. Edhe vetë jom shumë nervoz, e bash kur jom nervoz ai m’qetëson, ai m’flet mirë, “Hajde dalum pak, hajde shëtitum pak. Hajde… s’ki… thotë çka ki mu bo nervoz nusja jem? Pse po bahesh kaq nervoz? Ka kalu lufta mo, ajo o shku, ajo duhet me u harru. Tash e kem t’ardhmen, fminë, familjen”. Shumë osht’ i qetë, e falemnderoj me zemër se e kam ni ksi burrë…

Sot ma e mira që pres me ndodhë, veç fëmia që t’ëm shkollohen. Prej fëmive e pres t’ardhmen, që t’i shoh t’u u shkollu, t’i shoh t’u u punësu që mos t’përsëritet kjo, dhashtë Zoti mos t’përsëritet kurrë, oh Allah që po t’lutna.

Po arrihen, qato që i kom mendue, që qato hjekë që kom hjekë, pe shoh që pas kom pasë për kon me nga, kom pasë për kon.

Porosia ime osht’, ma s’shumti, t’falemnderoj që na keni dhonë këtë mundësi që t’flasum, që po e pres me gjithë zemër ni libër që ta lexoj, e jetën qysh e kena përjetu para lufte, e qysh kom përjetu mas lufte. Qajo osht’ dëshira ime, që t’e shoh librin n’dorë t’e lexoj. Që ta shohin t’gjithë n’Kosovë, që ta lexojnë se çka kena përjetu nanat. Çka kena përjetu për fëmi, çka kena përjetu për këtë vend. Qajo osht’ porosia ime e fundit.

(Kosova Sot Online)