Ja pse po reagon pa kontroll Presidenti Thaçi!

  • 21 May 2019 - 15:51
Ja pse po reagon pa kontroll Presidenti Thaçi!

Analistët politik po vazhdojnë të reagojnë rreth insistimit të Hashim Thaçit i cili me çdo kusht e në mënyrë, po përpiqet që të arrij qëllimin e realizimit të pazarit me Serbinë për ndarjen e Kosovës dhe për këtë arsye kundërshton dhe fyen ashpër ata që mendojnë kundër. Analistët e kanë cilësuar jo njerëzore, të pa matur dhe aspak politike fyerjen që Thaçi ju ka drejtuar ish krye negociatores Edita Tahiri dhe kryeministrit Haradinaj, madje këtë të fundit e quan edhe të pa edukuar, derisa të paren ish vartësen e tij në bisedime e quan të pa ditur.

Sipas analistit politik Nexhat Hazirit, këto janë sjelljet më ç’njerëzore të presidentit Thaçi i cili është në kulmin e frikës nga dështimi i projektit te tij me Vuqiqin dhe rrezikun e ballafaqimit në Gjykatën Speciale.

“Presidenti Thaçi pas dështimit për të arritur marrëveshjen të ashtuquajtur historike me Serbinë mbi bazën e ndarjes së territorit të Kosovës, ka zgjedhur që ti sulmoi të gjithë kundërshtarët e këtij projekti serbo-rus në të cilin kishte rol edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Nga paraqitjet e tij në publik me deklarata që në të shumtën e rasteve sulmon të tjerët, shpërfaq frustrimin e tij dhe frikën që ka nga gjykata Speciale nga e cila ka tentuar të shpëtoj duke bërë marrëveshje me Serbinë në dëm të Kosovës. Dhe përpjekja e tij për ta mbajtur gjallë projektin e marrëveshjes me Serbinë mbi parimet e ndarjeve etnike janë dëshpëruese për të”, tha Haziri për “ Kosova Sot Online”.

Analisti Haziri mendon se Hashim Thaçi i cili po digjet politikisht edhe po e humb të ardhmen e tij në politikë, është në gjendje që të përçaj e të degdisë gjithë skenën politike të Kosovës, vetëm e vetëm që ta përdorë atë si mjet për mbijetesën personale. “Presidenti Thaçi po e humbë fuqinë e tij politike dhe mbase kjo e trishton atë, dhe krejt çfarë mund të bëj dhe unë pres nga ai që të tenton për ta përçarë skenën politike për të prodhuar krizë institucionale dhe politike në vend. Por as kjo nuk do i ndihmonte pasi dielli i tij në politik është duke përendur. Andaj unë do ti dëshiroja një fund sa më të shpejtë dhe sa më pak të dhimbshëm”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)