Ja gafa që kishte bërë ish deputeti i Kosovës në vitin 1999

  • 21 May 2019 - 19:00
Ja gafa që kishte bërë ish deputeti i Kosovës në vitin 1999

Kishte fituar simpatinë e të gjithëve kur kishte ngritur zërin në Parlamentin e Kosovës për shkak se komuniteti rom ishte përmendur në aferën “Pronto” në kontekst përbuzës. Po ashtu, ishte admiruar edhe për poezitë të cilat shpërndaheshin në rrjetet sociale. Por, Kujtim Paqaku, në vitin 1999, kur NATO bombardonte ish-Jugosllavinë, kishte bërë një gafë, duke e quajtur Bill Clintonin, Adolf Hitler.

Në një postim të tij në Facebook, fotografi Fahredin Spahija, ka treguar se si ish deputeti tashmë i ndjerë i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Paqaku, proteston kundër intervenimit të NATO-s në Kosovë më 1999.

Megjithëse, nuk është krejtësisht qartë nëse ish-deputeti i komunitetit rom, Paqaku, është kundër intervenimit të NATO-s në tërësi apo kundër bombardimeve në pjesët e qytetit ku ishin romët, megjithatë siç mund të shihet edhe në videon më poshtë, ish-deputeti në fjalë i referohet atij si Adolf Hitler.

Spahija, qëndrimin e z.Paqaku e quan të ulët dhe vardisës, “në favor të atyre që vranë, masakruan, persekutuan dhe dëbuan nga Kosova me qindra mijëra shqiptarë gjatë periudhës 1998/1999”.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të z.Spahija, dhe videon për të cilën bëhet fjalë:

KUJTIM PAÇAKU NË VITIN 1999 E QUANTE BILL KLINTONIN, ADOLF HITLER!

Ky postim nuk është si ai i Flora Dobrunës, i pavërtetë dhe skajshmërisht i dëmshëm për Kosovën por është postim që nxjerr në dritë një deklaratë të ulët dhe vardisëse në favor të atyre që vranë, masakruan, persekutuan dhe dëbuan nga Kosova me qindra mijëra shqiptarë gjatë periudhës 1998/1999…

Në një emision propagandistik të RTS (televizionit publik serb) të emërtuar ‘Ljubav je pobedila bombe’ (Dashuria mundi bombat) të realizuar gjatë ditëve të intervenimit të NATO-s mbi Serbinë dhe caqeve serbe në Kosovë, shifet dhe dëgjohet edhe deklarata e ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës (tashmë të ndjerë) me përkatësi rome, Kujtim Paçaku i cili Bill Clintonin e quan Adolf Hitler… Më poshtë po jap përkthimin e deklaratës së tij, për shqiptarët që nuk e kuptojnë serbishten: “Shfrytëzoj rastin që, ne romet e Prizrenit, në mënyrë energjike protestojmë dhe ngrejmë zërin kundër dhunës, kundër Adolf Hitlerit i cili nuk zgjedh qëllimet dhe humaniteti tek ai është i harruar. Ka zgjedhë që Prizreni dhe rruga e romëve të goditet që në fillim, që civilët e pafajshëm të pësojnë. Në këtë vend kanë vdekur katër nga ata…” Dhe krejt në fund dua të them se ky postim ka të bëjë vetëm me individë të caktuar që në video shfryjnë kundër intervenimit të NATO-s e ku më i zëshmi del të jetë Kujtim Paçaku, e jo kundër komunitetit rom në përgjithësi, prandaj i lus komentuesit eventual të përmbahen nga komentimet me përmbajtje racore apo denigruese ndaj cilit’do komunitet joshqiptar!

(Kosova Sot Online)