Kurti për masakrën e Dubravës: Kriminelët janë të lirë, dëshmitarët janë të gjallë

  • 21 May 2019 - 21:40
Kurti për masakrën e Dubravës: Kriminelët janë të lirë, dëshmitarët janë të gjallë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me rastin e 20-vjetorit të masakrës së Dubravës, ka deklaruar se në vend se të humbet kohë me ide për tribunale të largëta ndërkombëtare, duhet votuar urgjentisht në Kuvend plotësimi dhe ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale që mundëson gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës.

Kurti përmes një postimi në Facebook ka përkujtuar se edhe 20 vjet pas masakrës në Burgun e Dubravës, nuk ka të akuzuar e as të dënuar.

“Në oborrin e burgut dhe brenda ndërtesës, në prag të shekullit XXI, pushkatoheshin dhe ekzekutoheshin pa gjyq shqiptarët e burgosur. Krim mizor, i pashembullt sepse i paimagjinueshëm. Ata që shpëtuan, më 24 maj i transferuan në burgun e Lipjanit (ku ndodhesha në pavijonin 4), e shumë prej tyre i takova në burgun e Pozharevcit ku na transferuan më 10 qershor 1999. Atë natë, në pavijonin 6, vdiq një i plagosur nga Dubrava, meqë nuk e kursyen nga rrahjet dhe torturat.

Postimi i plotë i Kurtit:

“20 vjet u bënë nga masakra në Burgun e Dubravës, por ende nuk ka as të akuzuar e as të dënuar. Me 19 dhe 21 maj 1999, bombat e NATO-s lanë të vrarë 23 të burgosur shqiptarë, kurse më 22 dhe 23 maj 1999, gardianë e policë, ushtarë e paramilitarë, e madje edhe të burgosur serbë, vranë mbi 120 të burgosur shqiptarë të identifikuar, gjersa plagosën mbi 300 të tjerë.

Në oborrin e burgut dhe brenda ndërtesës, në prag të shekullit XXI, pushkatoheshin dhe ekzekutoheshin pa gjyq shqiptarët e burgosur. Krim mizor, i pashembëllt sepse i paimagjinueshëm.

Ata që shpëtuan, më 24 maj i transferuan në burgun e Lipjanit (ku ndodhesha në pavilonin 4), e shumë prej tyre i takova në burgun e Pozharevcit ku na transferuan më 10 qershor 1999. Atë natë, në pavilonin 6, vdiq një i plagosur nga Dubrava, meqë nuk e kursyen nga rrahjet dhe torturat. Nuk e di si e kishte emrin. Por e di që Aca, Miki e Branko të cilët drejtonin burgun e Dubravës gjatë masakrës, u bënë drejtues të paviloneve 4 dhe 6 në burgun e Pozharevcit në vitet 1999 dhe 2000.

Kriminelët janë të lirë, dëshmitarët janë të gjallë. Në vend se të humbet kohë me ide për Tribunale të largëta Ndërkombëtare, duhet votuar urgjentisht në lexim të dytë në Kuvend plotësimi dhe ndryshimi i Kodit të Procedurës Penale që mundëson gjykimin në mungesë të kriminelëve të luftës”, ka shkruar Kurti. 

(Kosova Sot Online)