Pas sherrit i riu nxjerr pistoletën, kur mbërrin policia …

  • 22 May 2019 - 10:30
Pas sherrit i riu nxjerr pistoletën, kur mbërrin policia …

Kanosi me armë në lokal, arrestohet në flagrancë 24-vjeçari. Gjithçka ka ndodhur në një lokal në periferi të Elbasanit, ku i arrestuari është Silvestër Lleshi.

24-vjeçari bashkë me dy shokë të tij ka qenë duke pirë në fshatin Bradashesh. Nën efektin e pijeve alkoolike, i riu ka nisur një konflikt me një tjetër person që ndodhej në të njëjtin lokal.

Pas debatit verbal për shkaqe banale, Lleshi i ka drejtuar armën e zjarrit personit me iniciale F.C., po banues në Elbasan.

Pak minuta pasi një qytetar ka denoncuar atë që kishte ndodhur, Policia ka mbërritur në lokalin ku ndodhi ngjarja. Silvestër Lleshi në këto momente ka tentuar që të fshehë armën tip “Zastave” në makinë, por pa ia arritur qëllimit. Përveç arrestimit të 24-vjeçarit, forcat e Policisë kanë ndaluar dhe dy persona të tjerë: E.Q, 22 vjeç, dhe F.B., 53 vjeç, duke i akuzuar për “Moskallëzim krimi”.

“Ndërhyrja në kohë e Policisë parandaloi përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti me pasoja të rënda për jetën. Policia e Elbasanit ka marrë njoftimin se në fshatin Bradashesh të Elbasanit po ndodh një konflikt, ku njëri prej tyre ka dhe armë zjarri. Vlerësimi i situatës dhe reagimi në kohë i shërbimeve të Policisë bëri të mundur parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit, ku njëri prej shtetasve të përfshirë në konflikt po kanoste me armë zjarri një shtetas tjetër.

Gjatë ndërhyrjes për parandalimin e konfliktit, Policia kapi në flagrancë me armë zjarri pistoletë shtetasin S.Ll., 24 vjeç, banues në Elbasan, i cili gjatë një konflikti për motive të dobëta ka kanosur me armë zjarri shtetasin F.C. Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një armë zjarri tip ‘Zastava’ me 5 fishekë”, mësohet nga Policia.

Ndaj Silvestër Lleshit do të rëndojnë akuzat “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake” dhe “Kanosje” dhe çështja i ka kaluar për hetim të mëtejshëm Prokurorisë së Elbasanit.

Image

(Kosova Sot Online)