Qarri: Dy dekada punuan për interesin e Serbisë, tash kujtohen për krimet e luftës!

  • 22 maj 2019 - 13:55
Qarri: Dy dekada punuan për interesin e Serbisë, tash kujtohen për krimet e luftës!

Analisti politik Gani Qarri ka reaguar dhe e ka kritikuar ashpër përpjekjen e vonuar të ligjvënësve kosovare për miratimin e rezolutës dhe ndëshkimin e krimeve serbë në Kosovë, qoftë edhe duke iniciuar procedurën e krijimit të Tribunalit. Qarri ka rikujtuar se gjenocidi serb ishte i planifikuar dhe u realizua në mënyrë të organizuar nga strukturat më të larta të shtetit dhe ushtrisë okupatore të Serbisë,me ç`rast mijëra shqiptarë të pafajshëm të Kosovës u vranë dhe masakruan ndërsa mbi një mijë e 600 të tjerë vazhdojnë të mbeten ende të pagjetur.

Image
Gani Qarri

Prandaj. sipas Qarrit, kërkesa për formimin e një Tribunali për dënimin e gjenocidit serb dhe të gjitha vrasjeve dhe masakrave në Kosovë, është më se e drejtë, por dëshpëron fakti se kësaj klase të kriminalizuar politike, këtyre pushtetarëve renegat, iu deshën hiq me pak se 20 vite pas daljes nga lufta, që për herë të pare, ta aktualizojnë gjenocidi serb ndaj shqiptarëve, të cilin gjenocid deshën ta falin në shkëmbim të shpëtimit të tyre nga Gjykata Speciale.

“Pushtetarët renegat të Kosovës, donin t`ia falnin Serbisë të gjitha krimet e luftës, me shpresën se si kompensim,ajo nuk do ti padisë këta në Gjykatën Speciale. Ndaj iniciativa e tanishme është edhe një përpjekje për fshehjen e mosveprimit të shtetit, mbulimin e turpit, marrjen e bajrakut, apo edhe për të bërë skena politike kundër Gjykatës speciale, përderisa asnjë nga këto përpjekje Rezoluta nuk i arrin dhe përkundrazi paraqet edhe një pikëpyetje se a do të mund të miratohet pikë së pari nga vet deputetët e Kosovës në Kuvend”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

Analisti Qarri është një nga ata kritikët që denoncojnë politikën Kosovare pse nuk e ka kushtëzuar që në fillim, tryezën e bisedimeve me Serbinë me zgjidhjen paraprake të krimeve dhe dëmeve të luftës. “Përndryshe negociatat për gjykimin e kriminelëve dhe kompensimin e dëmeve të luftës është dashur ti paraprinte çdo negociate tjetër edhe nëse këto kërkesa do të përpiqej të mos i merrte parasysh Serbia, e fatkeqësisht lëre më që nuk i është kërkua, r por as që janë lodhur se si të kërkohet kompensimi i dëmeve të luftës në Gjykatën Ndërkombëtare të drejtësisë pranë OKB, ku sipas Statutit të kësaj gjykate në cilësi të palëve, mund të paraqiten shtetet anëtare të OKB por edhe shtetet jo anëtare si Kosova aktualisht”, tha Qarri për “Kosova Sot Online”.

"Heshtja 20 vjeçare e krimeve dhe dëme të luftës nga politika kosovare", sipas Qarrit "nuk është gjë tjetër veç se angazhim direkt në favor të Serbisë".

“Po që se politikanët e mjerë të Kosovës do të kishin sadopak ndjeshmëri njerëzore e morale ndaj viktimave dhe njohuri sado të vogël juridike, do ta dinin se duhet të kërkohet kompensimi i dëmeve si pasojë e gjenocidit serb, e përderisa shteti i Kosovës për 20 vite asnjëherë nuk i parashtroi kërkese Serbisë për dëmet e luftës, flet edhe një herë më tepër se politika kosovare për 20 vite bashkë me drejtësinë Kosovare kanë punuar ekskluzivisht për interesa të Serbisë që ushtroi gjenocid në Kosovë”, theksoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )