Foggo takon Ramën e Berishën: Transformimi i FSK-së të bëhet në koordinim me NATO-n

  • 22 May 2019 - 14:31
Foggo takon Ramën e Berishën: Transformimi i FSK-së të bëhet në koordinim me NATO-n

Admirali i Marinës së SHBA, James Foggo, u takua sot me ministrin e Mbrojtjes, Rrustem Berisha, dhe gjenerallejtënant Rrahman Rama.

Në këtë takim ata kanë diskutuar për situatën e sigurisë në Kosovë, në kontekstin e misionit të KFOR-it për të siguruar një mjedis të qetë dhe sigurt si dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë, në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në këtë takim Foggo ka diskutuar edhe për planin e Kosovës për transformimin Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Admirali amerikan ka përsëritur pritshmërinë që i gjithë procesi i transformimit të bëhet në koordinim me NATO-n dhe bashkësinë ndërkombëtare.

“Foggo përsëriti pritshmërinë e tij që tranzicioni i FSK-së të jetë një përpjekje progresive, transparente dhe gjithëpërfshirëse si dhe e koordinuar ngushtë me NATO-n dhe bashkësinë ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga KFOR-i.

Foggo udhëheq Komandën e Forcave të Përbashkëta Aleate të NATO-s, Napoli, e cila mbikëqyr KFOR-in.

NATO-ja mbetet e angazhuar përmes KFOR-it për një mjedis të qetë dhe të sigurt në Kosovë dhe stabilitet në rajonin e gjerë të Ballkanit Perëndimor.

(Kosova Sot Online)