Rreth 21 mijë gra amerikane porositën tableta për abort përmes internetit për 6 muaj

  • 22 May 2019 - 15:03
Rreth 21 mijë gra amerikane porositën tableta për abort përmes internetit për 6 muaj

Sipas disa të dhënave, dhjetëra mijëra gra amerikane kanë porositur tableta për abort përmes internetit në gjashtë muajt e kaluar. Këto shifra dëshmojnë për vështirësitë e jashtëzakonshme për të siguruar qasje në shërbimin e abortit në Shtetet e Bashkuara.

Të dhënat e siguruara nga gazeta “The Guardian” tregojnë se 21 mijë gra kanë bërë kërkesë për abort nga tetori i vitit 2018 deri në mars të këtij viti nga shoqata humanitare “Aid Access”. Më shumë se një e treta e këtyre grave i kanë marrë këto tableta përmes postës. Mësohet se shumica e tyre jetojnë në shtetet që kanë ligje të ashpra për abortin.

Gratë që i morën këto tableta thanë se janë të zhgënjyera për shkak të pamundësisë për qasje në shërbime të lira lokale për të kryer aborte. Disa prej tyre madje thanë se i kanë shqyrtuar masat ekstreme për t’i dhënë fund shtatzënive të tyre.

“Realiteti në terren tashmë është dëshpërues”, tha Rebecca Gomperts, themeluese e shoqatës “Aid Access”, e cila ofron shitje të barnave për abort përmes internetit. “Nëse një grua nuk ka qasje në një abort normal në Shtetet e Bashkuara, ato do të bëjnë gjithçka për t’i dhënë fund shtatzënisë së tyre”, shtoi ajo.

Javën e kaluar, Alabama e miratoi ligjin për ndalim të abortit, ndërsa katër shtete tjera tashmë kanë miratuar ligje më të buta për këtë çështje, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)