Zogaj: Shefqet Kabashi nuk po e kontrollonte vetën, ishte i pavetëdijshëm

  • 22 May 2019 - 19:03
Zogaj: Shefqet Kabashi nuk po e kontrollonte vetën, ishte i pavetëdijshëm

I mbijetuari i Masakrës së Dubravës, Bislim Zogaj, ka qenë i pari sot që ka provuar ta qetësojë Shefqet Kabashin të mbijetuarin tjetër të kësaj masakre, i cili në përvjetorin e 20 të kësaj ngjarje shprehi një mllef para të pranishmëve.

Zogaj ka thënë se ky veprim i Kabashit, është pasojë e masakrës së dy dekadave më parë.

“Maskara ka zgjatë pesë ditë dhe të gjithë e kemi pritë vdekjen. Në mesin e atyre që ka prit vdekjen ka qenë edhe Shefqet Kabashi. Bashkë me të, Nait Hasanin, Isak Shabanin dhe disa shokë të tjerë jemi kujdesur për të burgosurit. Kemi parë dhe kemi përjetuar gjithçka dhe kjo mund të jetë njëra nga pasojat e asaj masakre”, ka thënë Zogaj.

“As që mund të paramendonim se mund të ndodhte kjo. Në momentin kur e pashë Shefqetin në këtë situatë, duke llogaritur, se në burg në Nish dhe Lipjan kemi qëndruar bashkë mendova se mund të ndikojë pozitivisht dhe se do ta respektonte të kaluarën e përbashkët”.

Zogaj ka thënë se akuzat që bëri sot Kabashi duke drejtuar gishtin nga Hajredin Kuqi e Nait Hasani nuk qëndrojnë.

“Asnjë prej atyre emrave nuk kanë të bëjnë asgjë me ato që thotë Shefqet Kabashi. Nga afër e pashë se ai nuk e kontrollonte vetën, nuk ishte i qetë dhe s’mund të vlerësonte drejt. Ka ardhur me paragjykime dhe me ndonjë inat nga koha në burg. Ai sigurisht ka dashtë të shprehë një mllef për jetën e pasluftës që mund të lidhet me pasojat nga burgu”.

“Naiti jo, edhe Hajredini nuk kam dëgjuar që kanë thënë diçka dhe nuk kanë të bëjnë me atë që është folë. Të gjitha fjalët që janë përdorur nga ai kanë qenë të pakontrollueshme. Ka qenë i pavetëdijshëm”.

(Kosova Sot Online)