Skepticizëm në Gjermani për iniciativën e re të May për Brexit’in

  • 22 May 2019 - 19:10
Skepticizëm në Gjermani për iniciativën e re të May për Brexit’in

Përpjekja më e fundit e kryeministres, Theresa May ndaj parlamentit për të kaluar një marrëveshje që lejon Britaninë  e Madhe të dalë nga Bashkimi Europian në mënyrë të rregullt është parë me skepticizëm nga liderët politikë gjermanë.

“Fatkeqësisht, druhem se propozimi i ri nuk ndryshon asgjë thelbësore”, tha kryetari i Komitetit të Çështjeve të Jashtme të parlamentit gjerman, Norbert Roettgen.

“Theresa May është duke këmbëngulur të vërë në punë të njëjtën gjë, por duke e nisur nga fillimi”, tha politikani i Kristian Demokratëve (CDU).

Roettgen tha se ‘’votimi në Dhomën e Komuneve mbi projektligjin e Brexit duhej të ishte lidhur drejtpërdrejt me një referendum të dytë’’.

Marrëveshja pritet të vihet në parlament në fillim të muajit të ardhshëm.

Deputetët tashmë e kanë hedhur poshtë atë tri herë.

Nils Schmid, i cili foli për këtë komitet në emër të social-demokratëve (SPD), shprehu pikëpamje të ngjashme.

“Një referendum i dytë është vonuar shumë, pasi qeveria dhe parlamenti kanë qenë në bllokadë për muaj,” tha Schmid.

Ai shprehu dyshim nëse May kishte autoritetin e nevojshëm brenda Partisë së saj Konservatore për të marrë iniciativën e saj të fundit nëpërmjet parlamentit.

Për FDP-në liberale, Alexander Lambsdorff theksoi se May u shfaq thjesht e dëshpëruar në këtë fazë.

“Njerëzit e saj po kërkojnë hapur ta zëvendësojnë”, tha ai.

Ai i kërkoi BE-së të refuzojë çdo përpjekje nga May për të kërkuar një tjetër shtyrje për procesin e Brexit.

(Kosova Sot Online)