Kadri Rexhepi flet për videon e fajdeve, ku u përmend Kadri Veseli

  • 22 May 2019 - 23:52
Kadri Rexhepi flet për videon e fajdeve, ku u përmend Kadri Veseli

Ferizajasi Kadri Rexhepi është deklaruar pas publikimit të një videoje, ku duket se ai luan rolin e ndërmjetësuesit mes Rrahim Hashimit e Faton Dalladakut, të akuzuar për fajde. Në pamjet lëvizëse, Rexhepi dëgjohet duke deklaruar: “200 mijë euro i ka marrë Kadri Veseli”. E, në një intervistë, nëpërmjet telefonit, ai ka sqaruar deklaratën e tij. “Nuk janë ato fjalët e mia”, është shprehur ai.

Kadri Rexhepi, personazhi që dëgjohet në video nga afera e fajdeve duke thënë se Kadri Veseli ka marrë 200 mijë euro, ka thënë se në ato momente ishte duke e cituar Rrahim Hashimin.

Në videon e publikuar sot nga Koha, Rexhepi shihet në një bisedë me biznesmenin Faton Dalladaku, i cili thotë se dha shumë të madhe parash për të ndërtuar spitalin privat në hapësirat e QKUK-së. E Rexhepi aty duket se luan rolin e ndërmjetësuesit mes Dalladakut dhe Rrahim Hashimit. Në video, Rexhepi thotë se “200 mijë euro i ka marrë Kadri Veseli”.

Pas publikimit të kësaj videoje, Rexhepi ka telefonuar  për të dhënë reagimin e tij të plotë.

Ka thënë se nuk është marrë kurrë me fajde, ndërsa ka theksuar se fjalët “200 mijë euro i ka marrë Kadri Veseli” nuk ishin të tijat. Ka thënë se s’e ka takuar kurrë Kadri Veseli, ndërsa ka shtuar se është viktimë e mashtrimit nga Hashimi dhe biznesmeni Dalladaku.

“Rrahim Hashimi është mashtrues. Gjynah që mbahen njerëz të tillë në tokë. Ju s’keni ide. Jeni të pa shpirt që ma keni bë këtë. Pesë minuta me e mbajt një incizim që e ka bë Dalladaku. Ai është mashtrues, pis, pedofil. Është kumorxhi. I ka të gjitha këqijat. Bukë s’ka pas me hangër e për një kohë të shkurtër, i ka marrë 80 hektarë. Mosni kështu”, ka thënë Rexhepi.

Rexhepi ka thënë se njëherë Hashimi e kishte mashtruar duke ia dhënë një numër telefoni të Veselit. Sipas Rexhepit, Hashimi ka thënë vazhdimisht se është njeri i Veselit dhe SHIK-ut.

“Më ka dhënë edhe numrin e Kadri Veselit. Kemi biseduar me një telefon që ma ka dhënë ai. Ishe zëri i tij. Ai lypke pare, e s’ishte vetë Kadria hiq. Shihni ç’na ka bë ky pis bre. Rrahimi ka thënë që ‘unë jam njeri i Kadri Veselit. Jam i SHIK-ut, kam kryer kriminalistikën. Unë e zëvendësoj SHIK-un e Kosovës në Shqipëri’”, ka shtuar Rexhepi, raporton ktv.

Rexhepi më pas ka treguar se në kontakt me Hashimin ka rënë përmes Shukri Bujës, ish-zyrtar i PDK-së. Ka thënë se e kishte ndihmuar Hashimin sepse “ka menduar se është njeri i luftës”.

Rexhepi më tej ka thënë se ka kërkuar edhe nga Bajrush Xhemajli, tjetër zyrtar i lartë i PDK-së, që t’ia mundësojë një takim me kryeparlamentarin Veseli. Këtë ka thënë se e kishte kërkuar edhe nga Elmi Reçica, deputet i PDK-së.

Hashimin e Dolladakun i ka quajtur idiotë e të pafytyrë.

Të dy ka thënë se i kanë shumë para borxh.

“Të dytë më kanë borxh. Rrahim Hashimi m’i ka 150 mijë. Duke më lut se do t’i marr kaq, ia kam dhënë. Kishe ishte në luftë e na ka liruar se kurrë s’do t’ia jepja. E kam paraqit në gjykatë se kurrë nuk mi ka dhënë. Është betuar e kurrë nuk më ka kthyer paratë. Më ka kërcënuar. Bajrush Xhemajlin e kam lutur e më ka thënë se do të më thërrasë Kadri Veseli. Kam bë lutje vetëm që të më pranojë të bisedojë me mua, e t’i them se ky më murrë shumë pare e kush është ky njeri. ‘Njeri i Kadri Veselit dhe Xhavit Halitit thoshte”.

Për lidhjen e tij me spitalin e përfolur, Rexhepi ka thënë se ishte motivuar nga dy operimet e gruas së tij nga zemra.

Ai ka thënë se edhe biznesmenit Dolladaku i ka dhënë shumë para.

“Faton Dolladakut ia kam dhënë paratë se thoshte po ma marrin shtëpitë, aman ta kryej edhe një kamatë e t’i kthej. E ky më mashtroj. Ia kam marr borxh një mbese 40 mijë. 10 mijë përmes bankës, 30 mijë cash. ia kam marrë 114 mijë një kushëriri këtu”, ka shtuar ai.

Të hënën, policia ka arrestuar 5 persona: Rrahim Hashimin, Ismet Osmanin, i njohur si “Curri”, Ilir Bojkun, Mentor Maqanin dhe Adil Thaqin, nën dyshimin për fajde, detyrim dhe mashtrim.

(Kosova Sot Online)