Reagon Bojaj:"Kali i Trojës", Shpend Ahmeti & Dardan Sejdiu...

  • 23 May 2019 - 07:41
Reagon Bojaj:

Analisti politik, Ramiz Boja, thotë për “Kosova Sot Online’ se Kosova ka nevojë për strategji të re politike, e cila do të largonte nga skena qeverisjen aktuale regresive, që ka dëmtuar tej mase imazhin shtetëror të vendit tonë.

Image
Ramiz Bojaj

“Iniciativa e fundit e LDK-së për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj, duke futur në gjirin e vet edhe kalin e Trojës, Shpend Ahmetin,Dardan Sejdiun & PSD-në, nuk duket aspak veprim i matur, por edhe i duhur. Kjo për faktin se ta ngrehësh kalin e Trojes (PSD-në) me litarin e lidhur, herë me SHIK-un, herë pa SHIK-un, herë me pushtet e herë pa pushtet, do të thotë të bashkëpunosh me spiunët e SHIK-PDK-së, është ngritje e kurthit të ri, ose plan rezervë për t'iu bashkuar pushtetit të ri të SHIK-ut, për realizimin e planeve të PDK-së: rrumbullakësimin e planit serb për ndarjen e Kosovës”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online .“

Ai ka përmendur gabimin e madh të së kaluarës në LDK kur e kishte faktorizuar edhe "biznesmenin shqiptaro-rus, Behxhet Pacollin, por ky u bë rrotë rezervë e qeverisjes së SHIK-ut".

“Tani LDK-ja duhet të tregojë maturi e guxim për të rrëzuar këtë qeverisje çobanësh, duke u bashkuar me VV-në, pa inflitruar 'spiunë' të SHIK-ut në mes. Duhet të rrëzohet ky pushtet i kalbur e i korruptuar, skajshmërisht i papërgjegjshëm, duke shuar njëherë e përgjithmonë edhe iniciativën serbe për shkëmbim kufijsh, plan të cilin presidenti ynë e prezanton në forma të ndryshme, të koloritur, por realisht sillet tek i vetmi plan serb për shembjen e sovranitetit shtetëror të Kosovës, duke i zhvatur pjesët më të pasura me pasuri nëntokësore”, theksoi Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Bojaj thotë se vetëm opozita e bashkuar, unike dhe e fortë mund të bëjë ndryshime në politikën kosovare.

“Andaj një opozitë e fortë dhe e vendisur duhet t'i thotë stop kësaj mynxyre dhe këtyre klaneve oligarkësh. LDK e bashkuar me VV-në, por edhe më shoqërinë civile, duhet ta rrëzojnë këtë pushtet harbutësh, ta rrëzojnë edhe planin serb të presidenti Hashim Thaçi për shkëmbim territoresh, por, jo, të organizohen iniciativa të pamatura me grupacione të diktuara nga SHIK-u, e cila ka për qëllim rrëzimin e Ramush Haradinajt nga qeverisja, pastaj me koalicionet kuislige të rrëzojë edhe taksën e krejt në fund të realizojë edhe planin serbo-rus për ndarjen e Kosovës”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )